15:20 / E Enjte, 25 Prill 2019

Putin për herë të parë në orar!

Presidenti rus, Vladimit Putin, ironikisht i quajtur ”zotëria me vonesë”, jo vetëm u tregua i përpiktë, por shkoi rreth 30 minuta më përpara në Universitetin e Vladivostokut, në ishullin Ruski, ku priste ardhjen e liderit të Koresë së Veriut Kim Jong Un, përpara samitit të tyre të parë.

U desh udhëheqësi suprem, që Vladimir Putin këtë herë, të korrigjonte një nga “zakonet e tij të këqija” që e ka bërë të njohur ndërkombëtarisht nga ngjitja në pushtet, në vitin 2000.

Presidenti rus ka mbajtur për gati një orë në pritje homologun e tij amerikan, Donald Trump (edhe Barack Obaman), në takimin e Helsinkit korrikun e kaluar.Kancelarja gjermane Angela Merkel mbeti në pritje për 4 orë e 15 minuta në 2014 dhe kryeministri japanez Shinzo Abe më shumë se 3 orë në vitin 2016.           

Ndër “viktimat e shquara” të vonesave të Putinit qëndron edhe mbretëresha Elizabeth II me 14 minuta në 2003 dhe papa Françesku me 50 minuta në vitin 2015.Por, ka ndodhur që edhe Putin të presë të tjerët.

Në 2017, në kuadër të samitit “Belt and Road Forum” të Pekinit, me presidentin Xi Jinping, pasi ky i fundit po vonohej, ai nuk e humbi durimin dhe pasi pa një piano në dhomën e takimit, filloi t’i binte asaj.Videoja e  postuar në rrjetet sociale u bë menjëherë virale.