“Putin po përgatitet për përballje me NATO-n”, alarmi i inteligjencës ukrainase

Zëvendësdrejtori i shërbimit të inteligjencës ushtarake ukrainase, Vadym Skibitsky, komentoi mbi prodhimin rus të armëve. Me anë të një interviste për mediat ukrainase, ai thekson se, Kivi ka informacion të saktë për këtë fakt.
Sipas raportit, Rusia do të prodhojë 2,500 raketa, duke përfshirë raketa lundrimi, raketa balistike dhe raketa hipersonike, deri në fund të vitit 2025. Përveç kësaj, Rusia planifikon të prodhojë 57 avionë ushtarakë këtë vit, duke përfshirë modelet Su-57, Su-35, Su-34 dhe Su-30, gati 250 tanke të reja T-90M, 1,100 transportues të blinduar personeli dhe 365 sisteme të reja artilerie, shkruan A2 CNN.
“Rusia synon të rrisë më tej prodhimin. Përveç kësaj, po vërejmë një rritje të ndjeshme në prodhimin e mjeteve ajrore pa pilot, veçanërisht të dronëve Geran, Garpiya dhe FPV”, raportoi Skibitskyi.
Sipas tij, Rusia prodhon armë në shkallë industriale dhe e ka orientuar plotësisht ekonominë e saj drejt luftës. “Sot shohim se Rusia po prodhon dhe modernizon kryesisht raketa – si strategjike ashtu edhe operacionale”, tha Skibitskyi. “Municionet e avionëve vijnë të dytat, të ndjekura nga dronët dhe gjithçka tjetër”.
Ai theksoi se industria e armëve po punon vazhdimisht pavarësisht sanksioneve perëndimore: “I gjithë prodhimi ushtarak po funksionon në tre ndërrime.”
Përveç kësaj, Rusia mbështetet në rezervat e vjetra sovjetike: “Nëse është e nevojshme, ata i nxjerrin armët sovjetike nga depoja dhe i ripërdorin ato”, tha Skibitskyi. “Është e vështirë të thuhet se sa armë janë ende në depo sot, pasi shifrat ndryshojnë. Raportet tregojnë se Federata Ruse ka përdorur tashmë 50 deri në 75 përqind të rezervave të saj të vjetra të armëve.”
Sakaq, Kancelari gjerman Friedrich Merz ka paralajmëruar se “plani imperialist” i Presidentit rus Vladimir Putin “nuk do të përfundojë me pushtimin e Ukrainës, por se ky është vetëm fillimi”. Duke folur në një konferencë të ambasadorëve gjermanë, Merz deklaroi se “po vuajmë çdo ditë sulme hibride ruse gjithnjë e më intensive, përfshirë edhe infrastrukturën tonë”, dhe theksoi “provokimet” e Moskës në Detin e Veriut dhe Detin Baltik.