Putin thotë se Rusia do ta marrë të gjithë rajonin Donbas të Ukrainës
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se Rusia do të merrte kontrollin e plotë të rajonit Donbas të Ukrainës me forcë, nëse forcat ukrainase nuk tërhiqen, diçka që Kievi e ka refuzuar kategorikisht.
Putin dërgoi dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, pas tetë vitesh luftimesh midis separatistëve të mbështetur nga Rusia dhe trupave ukrainase në Donbas, i cili përbëhet nga rajonet e Donetskut dhe Luhanskut, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
“Ose i çlirojmë këto territore me forcën e armëve, ose trupat ukrainase largohen nga këto territore”, tha Putin për India Today përpara një vizite në New Delhi, sipas një klipi të shfaqur në televizionin shtetëror rus.
Ukraina thotë se nuk dëshiron t’i dhurojë Rusisë territorin e saj që Moska nuk ka arritur ta fitojë në fushën e betejës, dhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy ka thënë se Moska nuk duhet të shpërblehet për një luftë që e ka filluar vetë.
Rusia aktualisht kontrollon 19.2% të Ukrainës, përfshirë Krimenë, të cilën e aneksoi në vitin 2014, të gjithë Luhanskun, më shumë se 80% të Donetskut, rreth 75% të Khersonit dhe Zaporizhzhisë, dhe pjesë të rajoneve Kharkiv, Sumy, Mykolaiv dhe Dnipropetrovsk.
Rreth 5,000 km katrorë të Donetskut mbeten nën kontrollin ukrainas.
Në diskutimet me Shtetet e Bashkuara mbi skicën e një marrëveshjeje të mundshme paqeje për t’i dhënë fund luftës, Rusia ka thënë vazhdimisht se dëshiron kontroll mbi të gjithë Donbasin – dhe se Shtetet e Bashkuara duhet ta njohin në mënyrë jozyrtare kontrollin e Moskës.
Rusia në vitin 2022 deklaroi se rajonet ukrainase të Luhanskut, Donetskut, Khersonit dhe Zaporizhzhisë tani ishin pjesë e Rusisë pas referendumeve që Perëndimi dhe Kievi i hodhën poshtë si një mashtrim. Shumica e vendeve i njohin rajonet – dhe Krimenë – si pjesë të Ukrainës.
Putin priti të martën në Kremlin të dërguarit e SHBA-së, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhe tha se Rusia kishte pranuar disa propozime të SHBA-së për Ukrainën dhe se bisedimet duhet të vazhdojnë.
Agjencia shtetërore e lajmeve RIA e Rusisë citoi Putinin të ketë thënë se takimi i tij me Witkoff dhe Kushner kishte qenë “shumë i dobishëm” dhe se ishte bazuar në propozimet që ai dhe Presidenti Donald Trump kishin diskutuar në Alaska në gusht.

