10:08 / E Enjte, 04 Shkurt 2021 / AR

Putini ia premton Vuçiqit mbështetjen e Rusisë lidhur me çështjen e Kosovës

Presidenti rus, Vladimir Putin, i tha presidentit serb, Aleksandar Vuçiq se Rusia është në favor të një zgjidhjeje kompromisi me Kosovën, e cila duhet të miratohet nga Këshilli i Sigurimit i KB, transmeton Indeksonline.

Ai po ashtu përsëriti se Serbia mund të llogarisë në mbështetjen e Rusisë edhe në çështje të tjera të rëndësishme.

Në një deklaratë të lëshuar pas bisedës telefonike të djeshme midis Putinit dhe Vuçiqit, thuhet se presidenti i Serbisë e informoi presidentin rus “për vlerësimet e tij lidhur me situatën aktuale në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, duke marrë parasysh kontaktet e tij me partnerë të huaj“.

Të dy presidentët shtuan se ata “shkëmbyen mendime mbi çështjet aktuale bilaterale dhe ndërkombëtare, veçanërisht mbi shtypjen e pandemisë së virusit Corona dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e vaksinimit, duke përfshirë shpërndarjet e mëtejshme të vaksinës ruse “Sputnik V”, në Serbi“.

“Danas”-i raporton se, Putini dhe Vuçiqi vlerësuan pozitivisht bashkëpunimin ruso-serb, veçanërisht zbatimin me sukses të projekteve të mëdha të përbashkëta në fushën e energjisë, transportit dhe teknologjisë së lartë./Indeksonline/