75 Mall Live Search
08:53 / E Shtunë, 12 Qershor 2021 / OSH

Putini tregon për dallimet që i sheh mes Bidenit e Trumpit

Në një intervistë pak ditë para takimit me homologun amerikan, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se raportet mes vendit të tij dhe Shteteve të Bashkuara janë në pikën më të ulët në vitet e fundit.

Dy presidentët do të takohen më 16 qershor në Gjenevë. Shtëpia e Bardhë ka thënë se Bideni gjatë këtij takimi do t’i ngrisë temat si sulmet kibernetike që dyshohet se vijnë nga Moska, agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës, burgosjen e disidentëve dhe çështje të tjera që i kanë tensionuar marrëdhëniet.

“Ne kemi një marrëdhënie dypalëshe që është përkeqësuar deri në pikën më të ulët viteve të fundit”, tha kreu i Kremlinit në një pjesë të intervistës për televizionin NBC.

Ai tha se ish-presidenti amerikan ka qenë “individ i jashtëzakonshëm, individ i talentuar, por impulsiv”, ndërsa, sipas tij, presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, është ndryshe në mënyrë drastike nga Trumpi, shkruan The Guardian.

“Është shpresa ime e madhe që po, janë disa përparësi, disa mangësi, por nuk do të ketë lëvizje të bazuara në impuls në emër të presidentit të tanishëm të ShBA-së”, tha Putini në intervistën për televizionin amerikan.

Ai haptazi kishte pranuar se e ka përkrahur Trumpin në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Ish-presidenti amerikan kishte gjithashtu fjalë lavdëruese për homologun rus.

Bideni ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk po kërkojnë konflikt me Rusinë, por ka paralajmëruar se vendi i tij do të kundërpërgjigjet fuqishëm, nëse qeveria ruse përfshihet në aktivitete të dëmshme.