Pylli i arinjve ‘Prishtina’ nuk e pranon për strehim ariun e Prizrenit: Nuk kemi hapësirë për të!
Shfaqja e ariut të murrmë në Prizren, kohëve të fundit ka shkaktuar panik dhe debat të madh në shoqëri.
Derisa mbrëmë u raportua se është dhënë autorizim për vrasjen e tij, një gjë e tillë nuk u mirëprit nga shumë institucione dhe qytetarë, që dolën kundër vrasjes së ariut.
Shumica kanë apeluar që ariu të kapet i gjallë dhe të dërgohet në ndonjë pyll, por assesi të vritet, shkruan Indeksonline.
Dërgimin e ariut problematik në Pyllin e Arinjve ‘Prishtina’ e ka kërkuar edhe Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit (AMMK).
Kryeshefi i këtij agjencioni, Ilir Morina ka bërë të ditur pwr Indeksonline se kohë më parë kanë dërguar kërkesë në këtë pyll për strehimin e ariut, por që iu është refuzuar.
Arsyetimi i menaxherit të Pyllit të Arinjve ‘Prishtina’ Afrim Mahmuti ishte ky:
“Lidhur me kërkesën tuaj për mundësinë e kapjes së ariut problemaik dhe sjelljen e tij në PYLLIN E ARINJVE Prishtina dhe pas konsultimeve me përgjegjësitë tonë, me keqardhje më duhet të ju informoj se organizata FOUR PAWS si dhe PYLLI I ARINJVE Prishtina nuk janë në gjendje të pranojnë arinj të egër nga natyra në strehimore për këto arsye kryesore:
-Aktualisht në PYLLIN E ARINJVE Prishtina nuk kemi hapësira adekuate (rrethoja) të gatshme për ta pranuar ariun e rritur në strehimore, të gjitha hapësirat janë të zëna me 19 arinjtë të cilët aktualisht i kemi nën përkujdesje,
-Në bazë të informatave që i kemi e besoj që këto i keni edhe ju se në rastin e fshatit Pousko nuk bëhet fjalë vetëm për një ari por për një grup të arinjve (3-4).
Për këtë arsye mendojmë se problemi nuk do të zgjidhet vetëm me largimin e njërit nga këta arinjve. Si do të veprohet në rast se arinjtë tjerë vazhdojnë të paraqesin problem edhe më tutje për komunitetin në Pousko? Si do të veprohet në rast se arinjtë vazhdojnë të shqetësojnë edhe banorët në fshatrat tjera në Parkun nacional ‘Sharri’ por dhe në Parkun Nacional Bjeshkët e Nemuna?
Në rast se fillojmë kështu do te ishte për ne e pamundur të akomodojmë të gjithë këta arinj në strehimoren tonë.
Në përgjithësi nuk është politikë e FOUR PAWS në asnjë vend ku vepron dhe as në Kosovë që ti sjellë në strehimore arinjtë të cilët jetojnë të egër në natyrë (këtë nuk e kemi as në Marrëveshjen me Ministrinë e mjedisit). Ju e dini se ne kryesisht merremi me shpëtimin e arinjve të abuzuar dhe të mbajtur në robëri nga njerëzit.
Morina mbrëmë ka thënë për Indeksonline se kjo përgjigje e Mahmutit ishte shumë skandaloze, duke e refuzuar ariun për strehim. /Indeksonline/