16:50 / E Enjte, 25 Prill 2019 / indeksADMonline

PZAP anulon vendimin e KQZ-së për moscertifikim të kandidatëve të Listës Serbe në katër komunat veriore

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka anuluar vendimin e djeshëm të KQZ-së për moscertifikimin e katër kandidatëve të Listës Serbe për kryetarë në katër komunat veriore të Kosovës.

Eugen Cakolli nga KDI ka shkruar se PZAP ka marrë vendimin e duhur, pasi që sipas tij, Lista Serbe ka plotësuar të gjitha kriteret ligjore për të marrë pjesë në zgjedhje.

Cakolli ka thënë se KQZ-ja nuk ka mandat për interpretim politik të letrave të dorëheqjes dhe sjelljes së zyrtarëve të Listës Serbe.

“PZAP-i ka marrë vendim të duhur, meqenëse Lista Serbe dhe kandidatët e saj, në kuptimin formal dhe ligjor kanë plotësuar të gjitha kriteret ligjore që parashihen me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

KQZ-ja nuk ka mandat as kompetenca për interpretimin politik të letrave të dorëheqjes dhe sjelljes së zyrtarëve të Listës Serbe, por është përgjegjëse për aspektin teknik të organizimit dhe administrimit të zgjedhjeve.

Sjellja politike e Listës Serbe dhe përmbajtja e letrave të dorëheqjes së katër kryetarëve duhet të trajtohen dhe adresohen nga organet e nivelit qendror”, ka shkruar ai në Facebook.