PZAP-ja publikon gjobat, që kanë marrë partitë politike gjatë fushatës zgjedhore
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa ka publikuar në faqen e saj zyrtare, gjobat të cilat i kanë marrë subjektet garuese gjatë këtyre ditëve të fushatës zgjedhore.
Partia Demokratike e Kosovës ka marrë gjobën prej 2.100.00 eurosh, me ankesën e drejtuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).
Arsyeja e kësaj gjobe është se PDK-ja me degën në Pejë kishte vendosur posterat e kandidatëve të kësaj partie, në hapësirat publike, përkatësisht nëdrunj të qytetit. Me këtë Instituti Demokratik i Kosovës, thekson se nga Partia Demokratike e Kosovës është bërë shkelje e dispozitës së nenit 33 paragrafi 1 pika b i Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, Ligji nr.03/L-073.
Për t’i vërtetuar ankesat, Instituti… ka dërguar edhe fotografi nga vendi ku ka ndodhur shkelja e Kodit të mirësjelljes për subjekte politike, mbështëtësit e tyre dhe kandidatët.
Megjithatë gjoba nga PZAP-ja kanë marrë edhe koalicioni AAK-PSD me seli në Prishtinë, shuma e saj është 6.100.00 euro dhe është bërë me ankesë nga Lëvizja Vetëvendosje po ashtu me seli në Prishtinë.
Aktivistët e VV-së kishin vërejtur se aktivistët e koalicionit AAK-PSD, kishin vendosur tenda dhe një lloj tavoline me material propagandues, veprime këto sipas paraqitësit të ankesës, të sanksionuara me dispozitën e nenit 33 pika b) të LZP-së dhe Rregullën zgjedhore nr 13/2013 të KQZ-së.
Për t’i vërtetuar ankesat aktivistët e VV-së kanë dërguar edhe disa fotografi të printuara, në cilësi të provave materiale.
Kjo nuk ka qenë ankesa e vetme e Lëvizjes Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës është gjobitur prapë tashmë më një shumë prej 6.200.00 eurosh. Arsyeja e kësaj gjobe ka qenë se Partia Demokratike e Kosovës kishte vendosur posterë të një kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, në rrugën “Dardania” afër restorantit “Mrika”, në Fushë- Kosovë.
PDK-ja me këtë rast ka vepruar në kundërshtim me nenin 33 pika b) të LZP-së dhe rregullën zgjedhore 13/2013 të KQZ-së. Si dëshmi paraqitësit e ankesës kanë dërguar edhe fotografi në cilësi të provës materiale.
Lista Serbe prin me gjoba më shume se sa të gjitha subjektet e tjera garuese, pasi gjobat për koalicionin “Sloboda” kanë arritu shumën e 30.000.00 eurove.
Paneli Zgjedhor për Aneksa dhe Parashtesa në një takim informues që e kishte mbajtur bashkë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve më 24 shtator, 2019 u kishte bërë thirrje të gjitha subjekteve garuese për zgjedhjet e parakohshme 2019 , ta respektojnë Kodin e mirësjelljes dhe ta zbatonin plotësisht legjislacionin që ndërlidhet me zgjedhjet në Kosovë. /Indeksonline/