75 Mall Live Search
14:54 / E Mërkurë, 20 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Qalaj në ‘Kongresin e Policisë Evropiane’, realizon dy takime të rëndësishme

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës (PK-së)  Rashit Qalaj, i shoqëruar nga Riza Shillova drejtor i Departamentit për Hetime, Afrim Ahmeti drejtor i Departamentit për Operativë dhe Driton Vrajolli ndërlidhës policor, gjatë pjesëmarrjes në ‘Kongresin e Policisë Evropiane’ i cili po mbahet në Berlin, kanë realizuar edhe dy takime mjaft të rëndësishme, atë me presidentin e BKA-së, Policisë Federale të Hetimeve të Gjermanisë dhe me presidentin e Universitetit të Shkencave Aplikative të Brandenburgut.

Në takimin e realizuar në mes të shefit të PK-së dhe BKA-së, u diskutuan çështjet e bashkëpunimit reciprok si dhe nevoja për avancim të bashkëpunimit në drejtime të ndryshme edhe në të ardhmen.

Dy shefat theksuan se tanimë ekziston një bashkëpunim i mirë mes dy policive në fushën e parandalimit dhe luftimit të krimit, me theks të veçantë terrorizmit, krimit të organizuar, krimit kibernetik, trafikimit me narkotikë dhe format tjera të krimeve të rënda, por shprehën nevojën e vazhdimit dhe ngritjes së bashkëpunimit të ndërsjellë edhe në të ardhmen.

Drejtori Qalaj falënderoi presidentin e BKA-së për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Policisë së Kosovës, në ndërtimin e kapaciteteve të saj, ku BKA-ja deri tani përpos ofrimit të trajnimeve të specializuara për PK-në, ka mundësuar trajnimin e disa zyrtarëve udhëheqës të PK-së në Akademinë e BKA-së.

Qalaj tha se presim mbështetjen e mëtejshme të BKA-së në fusha të specializuara si: IT- forenzikë, hetime speciale apo edhe në aplikimin e teknikave të veçanta të hetimit etj.

PK-ja është e gatshme që në të ardhmen të avancojë bashkëpunimin me BKA-në, sidomos në aspektin praktik të shkëmbimit të informacioneve, hetimeve të përbashkëta dhe operacioneve policore të përbashkëta.

Drejtori i PK-së nën shoqërimin e stafit të lart të tij, gjithashtu kanë pasur një takim edhe me presidentin Universitetit të Shkencave Aplikative të Brandenburgut,  Rainer Grieger.

Në këtë takim i cili u vlerësua mjaft i rëndësishëm janë diskutuar gjithashtu mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen edhe me këtë institucion në fushën e trajnimeve dhe arsimimit.

Pjesëmarrja në këtë kongres e drejtorit të Përgjithshëm dhe e stafit të lartë të PK-së, përveç tjerash do të shfrytëzohet edhe për rritje të bashkëpunimit të Policisë së Kosovës me policitë e të gjitha vendeve pjesëmarrëse.