13:05 / E Hënë, 13 Korrik 2020 / indeksADMonline

Qalaj takohet me menaxhmentin e lartë të policisë, diskutohet për orarin 12-orësh për situatën pandemike

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, i shoqëruar nga stafi menaxhues, realizoi një takim me të gjithë drejtorët e divizioneve dhe të drejtorive rajonale policore, për të diskutuar rreth masave dhe angazhimeve policore ndaj pandemisë.

Referuar situatës dhe zhvillimeve të fundit në vend, rritjes së numrit të qytetarëve të infektuar me COVID-19 si edhe referuar vendimeve të fundit të Qeverisë së Republikës së Kosovës në lidhje parandalimin e virusit, nga menaxhmenti policor u kërkua që të zbatohet dhe implementohet në tërësi Plani i ri operacional i Policisë së Kosovës.

“Plani operacional, parasheh marrjen e të gjitha veprimeve policore me qëllim të ruajtjes së rendit, sigurisë dhe shëndetit publik, pjesë e planit policor do të jetë edhe kalimi i punës nga orari 08-orësh në orarin 12-orësh, në mënyrë që të ketë prezencë më të madhe policore, të ketë personel të mjaftueshëm për asistencë ndaj institucioneve relevante si edhe të merren masa sipas procedurave dhe vendimeve në fuqi, ndaj atyre që nuk respektojnë masat dhe vendimet e institucioneve shtetërore të parapara ndaj COVIDIT-19”, thuhet në njoftimin për media, transmeton Indeksonline.

Ndërkaq shtohet se Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore dhe njëkohësisht u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të respektojnë dhe njëherit zbatojnë udhëzimet dhe masat e parapara ndaj pandemisë, në mënyrë që së bashku të arrijmë ta parandalojmë përhapjen e virusit./Indeksonline/