75 Mall Live Search
18:02 / E Hënë, 27 Korrik 2020 / indeksADMonline

Qalaj viziton kadetët e gjeneratës së 55-të të Policisë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj ka vizituar disa kadetë policor të gjeneratës së 55-të të Policisë së Kosovës të cilët ishin duke mbajtur pjesën praktike të trajnimit kontrollimi i turmave në AKSP, transmeton IndeksOnline.

Siç bëhet e ditur në njoftimin e PK-së, qëllimi i vizitës ka qenë përcjellja nga afër e punës që po bënë Policia e Kosovës në trajnimin e kadetëve policor, me zhvillimin e trajnimit online dhe pjesës praktike që po realizohet në akademi nga instruktorët policor.

“Drejtori i Përgjithshëm Qalaj, gjatë komunikimit me kadetët ndër tjera ka veçuar se në rrethanat në të cilat gjendemi, kërkohet nga të gjithë që të jemi shumë të kujdesshëm në këtë kohë pandemie dhe të respektohen me përpikëri masat mbrojtëse. Njëkohësisht kadetëve dhe personelit Drejtori Qalaj iu dëshiroj shëndet, suksese dhe përfundim sa më të shpejtë të trajnimit, pasi mezi presim që kadetët policor ti bashkëngjiten Policisë së Kosovës”, thekson komunikata.