75 Mall Live Search
10:48 / E Premte, 18 Dhjetor 2020 / OSH

Që 20 vite tekste banale në estradë, nënçmime, ironi, e droga, fatura ra mbi bilbilin e mirëfilltë, Shkurte Fejzën

Ka 20 vite që estrada në Kosovë ka përparuar në muzikë, por herë herë edhe ka devijuar. E devijimi më i madh ka ndodhur më së shumti në tekstet e këngëve.

Fjalë banale, të turpshme për t’i dëgjuar në shoqëri, e lëre më në televizor janë dëgjuar vazhdimisht dhe dëgjohen edhe sot në kanale televizive, lokale e kudo në shoqërinë kosovare.

Shumë nga këto këngë kanë proklamuar indirekt edhe përdorimin e narkotikëve duke përmendur vazhdimisht në tekste marihuanën e kokainën.

Në shumë tekste femrat janë lakuar si objekte seksi, në disa prej tyre si objekt vallëzimi bazuar edhe në klipet +16 të shumë këngëtarëve kosovarë që nga paslufta.

Kur lakohej në një tekst kënge termi “Ti je budallë”, askush nuk doli të mbronte të drejtën e asnjë gjinie, e as kur në një tekst tjetër të një reperi të njohur thuhej “Ti je kurvë”.

20 vite heshtje përballë shumë teksteve të turpshme në të gjitha rrymat muzikore, grupe personash që disa thirren në emër të OJQ-ve që me siguri që kanë adresa përfitimesh, e disa të tjerë që kanë synim mbledhjen e peonave për qëllime personale janë bërë të zëshëm pas dy dekadash për të lakuar këtë temë karshi bilbilit të këngës shqipe, Shkurt Fejzës.

Dhe mjafton që të dëgjoni tekstin e këngës “Nuse mësuese” për të kuptuar anën satirike të këtij realiteti në shoqërinë kosovare.

Shkurte Fejza mund të jetë gjithçka, por jo ajo që ka nënçmuar botën femërore në Kosovë dhe të drejtat e grave. Ngase, kur femrat në Kosovë kanë patur fatin të dëgjojnë atë nga kanalet televizive, ajo ka kaluar paragjykimet duke qenë zë i femrave në Kosovë e diasporë, duke qenë krah këngëtarëve burra në festivale e koncerte të shumta, në kohën kur ky profesion dikur paragjykohej edhe më shumë se sot.

Sot, në adresë të Shkurtës po tentohet të paguhet fatura e 20 viteve heshtje, sigurisht në adresë të gabuar./Indeksonline/