75 Mall Live Search
14:17 / E Enjte, 19 Dhjetor 2024 / FR

Qëllohet për vdekje brenda kuvendit një deputet në Abkhazi

Deputeti Vakhtang Golandzia është qëlluar për vdekje në Kuvendin e rajonit separatist gjeorgjian të mbështetur nga Rusia, Abkhazi, raportoi të enjten agjencia zyrtare e lajmeve e këtij rajoni.

Agjencia shtetërore “Apsnypress” e citoi Ministrinë e Shëndetësisë të ketë thënë se deputeti Vakhtang Golandzia kishte vdekur nga plagët e pësuara gjatë të shtënave në ndërtesën e kuvendit. Një deputet tjetër është plagosur, raporton Reuters-i.

Agjencia Apsypress nuk raportoi menjëherë nëse ndonjë i dyshuar është arrestuar ose cili mund të jetë motivi i sulmit.

Abkhazia u nda nga kontrolli i Gjeorgjisë gjatë një lufte pas shembjes së Bashkimit Sovjetik në vitet nëntëdhjetë, kur qindra mijëra gjeorgjianë ishin zhvendosur.

Rusia për një kohë të gjatë i ka mbështetur Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut dhe i njohu ato si shtete të pavarura pas fitores në një luftë 5-ditore me Gjeorgjinë më 2008.

Abkhazia u fut në krizë muajin e kaluar, kur disa protestues përdorën forcë në ndërtesën e kuvendit për të kundërshtuar një marrëveshje investimesh me Rusinë, duke e detyruar presidentin Aslan Bzhania që të jepte dorëheqjen. Më herët këtë muaj, deputetët votuan kundër ratifikimit të marrëveshjes.