75 Mall Live Search
21:22 / E Premte, 05 Nëntor 2021 / MSH

Qemajl Aliu premton pushtet për gratë e Shtimës

Kandidati për kryetar të komunës së Shtimës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Qemajl Aliu, ka premtuar mbështetje për gratë.

Ai ka vlerësuar se gratë duhen fuqizuar duke i vendosur në pozita të pushtetit dhe në vendimmarrje.

“Gratë kanë qenë gjithmonë ato që bëjnë kaq shumë punë në prapaskenë dhe nuk janë vlerësuar kurrë mjaftueshëm për këtë. Gjyshet, nënat, bashkëshortet dhe motrat tona luajnë një rol kaq të rëndësishëm dhe integral në jetën tonë dhe fatkeqësisht ato janë reduktuar vetëm në këtë dhe jo të gjithë i vlerësojnë.

Është shumë e rëndësishme t’i vlerësosh ato duke i fuqizuar dhe duke i kushtuar vëmendje zërit të tyre.

Dhe kjo mund të bëhet duke i vendosur ato në pozita të pushtetit ku mund të marrin vendime. Vetëm atëherë do të shohim ndryshimin e vërtetë dhe do të ketë rritje në shoqërinë tonë.

Në këtë takim të ngrohtë sot pasdite folëm pikërisht për këtë, për angazhimin tonë te madh që gratë të jenë pjesë e bashkëqeverisjes së komunës pas 14 Nëntorit!”, ka thënë Aliu.

Pas rezultatit të zgjedhjeve të 17 tetorit, komuna e Shtimës ka shkuar në balotazh, ku Qemajl Aliu mori 45.10% të votave, ndërsa kundërkandidati i tij, Nail Ismajli nga PDK, mori 44.64% sosh.