12:37 / E Hënë, 25 Maj 2020 / indeksADMonline

Qendra e Transfuzionit të Gjakut/ Sigurohen dozat e nevojshme, dhurimi vullnetar i gjakut duhet të vazhdojë

Qendra e Transfuzionit të Gjakut ka përmbushur kërkesat e nevojshme për sigurimin e dozave të gjakut. Situata e krijuar pas shpërthimit të pandemisë, kishte ulur ndjeshëm rezervat e transfuzionit. Por, në dy javët e fundit kishte interesim të madh për të dhuruar gjak pas një apeli të cilin e shprehu publikisht qendra e transfuzionit.

“Duke iu falënderuar të gjithë dhuruesve, kemi arritur t’i përmbushim këto kërkesa. Kërkesat e gjakut për trajtim me transfuzion vazhdojnë të jenë prezentë çdo ditë”, kanë deklaruar zyrtarët e QKKTGJ-së për IndeksOnline.

Të pyetur se sa ishte numri i përgjithshëm i personave të cilët kanë dhuruar gjak muajve të fundit, nga kjo qendër u tha se pati numër të kënaqshëm.

“Ka qenë një numër i kënaqshëm por duke pas parasysh që një dhurues Mashkull mund të dhurojë gjak 4 herë në vit dhe një femër 3 herë në vit, ndërsa një pacient mund të merr deri 50 doza brenda 24 orëve, atëherë mbetet të kuptohet që dhurimi vullnetar i gjakut duhet të vazhdojë”, thuhet tutje nga transfuzioni.

Gjithashtu gjatë muajit të Shenjtë të Ramazanit, kjo qendër ka mundësuar që dhurimi i gjakut të bëhet pas iftarit, në hapësirat e QKKTGJ-së në Prishtinë, nga ora 20:00, deri në ora 23:30.

Rastet ku kërkohet më së shumti dhurim i gjakut nëpër qendrat spitalore kanë të bëjnë zakonisht me aksidentet dhe rastet urgjente me gjakderdhje të madhe, ku kërkohet sasi e konsiderueshme e gjakut dhe përbërësve të gjakut.

“Po ashtu dhe rastet hematologjike, onkologjike, rastet me gjakderdhje nga sistemi tretës dhe gjinekologjike, të sëmurët me COVID-19, rastet kirurgjikale urgjente e të tjera”, theksohet nga QKKTGJ./Indeksonline/