14:48 / E Premte, 29 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Qendra Kinematografike e Kosovës numëron sukseset e vitit 2017

Qendra Kinematografike e Kosovës, si institucion me atributet e autoritetit qendror për kinematografi, ka për objektiv realizimin e politikave në fushën e kinematografisë që pasqyrojnë interesin publik.

Ky institucion sot ka bërë publike edhe raportin për punën dhe sukseset që ka pasur përgjjatë vitit 2017.

Viti 2017 shënon një vit të suksesshëm për këtë institucion, që e karakterizojnë ngjarjet e shumta, si pjesëmarrja shumë më e gjerë e QKK-së në tregje të filmit, pjesëmarrja më e madhe e filmave në festivale të kategorisë ‘A’, nënshkrimi i shumë marrëveshjeve
në të mirë të filmbërësve dhe zhvillimi e realizimi i shumë projekteve filmike.

Këtë vit filmi ‘T’padashtun’ nga Edon Rizvanolli, propozimi i Kosovës për Oscars, pati premierën botërore në Karlovy Vary International. Ky film ishte pjesë edhe e shumë festivaleve prestigjioze të kinematografisë në botë ku edhe u shpërblye.

Këtë vit, QKK mori pjesë në takimin e Asamblesë së Përgjithshme të South Eastern
Europe CINEMA NETWORK, ku edhe u shënua një fillim i ri pasi që Kosova u pranua si
anëtare e saj.

Një mundësi tjetër e jashtëzakonshme për filmat e mbështetur nga QKK ishte edhe arritja e marrëveshjes me Gjirafavideo, ku tani e tutje qytetarët e Kosovës do të kenë qasje në shikimin e filmave online, që ky institucion financon, duke qenë në favor të interesit publik dhe në mënyrë që qytetarët të kenë qasje në filmat e Kosovës.

Janë dhënë 10 premiera të prodhura nga QKK-ja.

QKK këtë vit ka pasur përfshirje shumë të madhe në tregjet e filmave ndërkombëtar ku përveq atyre që është prezente zakonisht, si në Berlinale dhe Cannes, këtë vit ishte pjesë edhe e Beldocs në Serbi, Annecy Film Festival në Francë, Balkan Film Market në
Shqipëri dhe TIFFCOM në Tokio.

Qendra Kinematografike e Kosovës ka vazhduar prezencën me pavijon në tregun e filmit Marche Du Film në Cannes, i cili është një prej tregjeve më të mëdha në botë. Në Festivalin e Cannes u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit mes Shoqatës së Producentëve të Filmit të Maqedonisë (MZFP) dhe Shoqatës së Producentëve të Kosovës.

Në edicionin e 10-të të festivalit Beldocs, në Beograd, këtë vit mori pjesë edhe drejtori i QKK-së Arben Zharku, ku prezentoi filmat e fundit dokumentar të mbështetur nga QKK. Filmat siç ishin ‘Daullet e Rezistencës’ nga Mathieu Jouffre, ‘Ferdonija’ nga Gazmend Bajri dhe Shkurte Dauti si dhe ‘Trapped by Law’ nga Sami Mustafa, të cilët edhe u paraqiten në katalogun e Beldocs Market 2017.

QKK sivjet për herë të parë, mori pjesë në tregun e festivalit Annecy International Animation Festival në Francë, ku në bashkëpunim me festivalin kosovar të animacionit Anibar dhe Ministrinë e Kulturës, patën mundësinë të shpalosin të rejat në fushën e zhvillimit të animacionit në Kosovë.

Ky ishte viti i parë që QKK e Shqipërisë organizoi Balkan Film Market, tregun balkanik për lidhje të bashkëpunimit mes shteteve të rajonit. QKK ishte e pranishme në këtë treg me një delegacion prej rreth 30 filmbërësve.

Kosova për herë të parë ishte pjesë e tregut TIFFCOM, aleatët e festivalit të madh Tokyo International Film Festival, ku në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës në Japoni pati rastin të prezentoi industrinë e filmit kosovar në Japoni.

Qendra Kinematografike e Kosovës viteve të fundit është përkujdesur me intenzitet të lartë në avancimin e producentëve kosovar duke nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me tregun e bashkëprodhimit të festivalit evropian të njohur Les Arcs European Film Festival në Francë, me Rotterdam Lab, pjesë e International Film Festival Rotterdam në Holandë si dhe me When East Meets West, e cila do të mbahet
në fillim të 2018-tës në Trieste.

QKK është patron në European Film Awards dhe kësisoji ishte e pranishme në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të EFA, e cila njihet si Oscars i Evropës. Në këtë ngjarje prezent ishin: drejtori i QKK-së, Arben Zharku dhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe
Sportit, Kujtim Gashi.

Në 10 vjetorin e vdekjes së ikonës të kinematografisë kosovare, Faruk Begolli, QKK organizoi takimin përkujtimor për të afërmit, miqtë dhe të gjithë ata që vlerësojnë të arriturat e këtij aktori e regjisori të madh.

Do të zhvillohen 7 projekte kinematografike nga konkursi i përvitshëm që përzgjidhen nga juria profesionale.

Qendra Kinematografike e Kosovës, përkatësisht Këshilli Drejtues i QKK-së, këtë vit ka formuar Komisionin e Vizionimit të përhershëm, i cili do të angazhohet në dhënien e lejës për shfaqje publike të gjithë filmave që prodhohen në Kosovë.

Këtë vit QKK pati kënaqësinë të prezentoi para selektorëve të Berlinales 5 filma kosovar, të cilët u shfaqën në Maqedoni bashkë me filmat tjerë të rajonit.

Gjatë këtij viti kanë filluar xhirimet rreth 20 filma të metrazheve të ndryshme, prej të cilëve, disa janë ende duke xhiruar e të tjerët janë
në post-production, ndërsa të gatshëm për shfaqje janë 13 filma, që kanë pasur premierën ose që presin ta kenë.

Për vitin 2018, QKK planifikon futjen në funksion të Rregullores për lehtësirat financiare, të cilat do të tërheqin investime të huaja në Kosovë, në fushën e industrisë së filmit, rregullore kjo që inkurajon dhe u hap rrugën investitorëve të huaj për të
xhiruar në Kosovë. Poashtu do të lobohet për anëtarësimin e Kosovës në Euroimages si dhe në Creative Europe, këto dy platforma shumë fitimprurëse dhe të rëndësishme për vendin tonë dhe kinematografinë kosovare, me qëllimin e zhvillimit sa më të madh të industrisë tonë.
QKK vitin e ardhshëm do të hartoj marrëveshjet e bashkëpunimit me Bullgarinë, Kroacinë dhe Turqinë, gjë që do të rrit bashkëprodhimin e Kosovës me këto shtete.

Gjatë vitit 2018 shpresojmë që të hyj në funksion edhe Rregullorja e Ministrisë së Kulturës për sponzorizime, që do të jetë edhe një mundësi më shumë në gjetjen e fondeve alternative për filmbërësit kosovar./Indeksonline/