22:12 / E Diele, 26 Mars 2023 / AR

Qendra tregtare gjen “zgjidhjen” për VIP-at, krijon tualete me pagesë dhe abonim mujor enkas për ta

Një qendër tregtare në Stamboll tanimë ka gjetur zgjidhen për klientët e saj VIP, të cilët duan të frekuentojnë tualetet e qendrës gjatë kohës që janë duke bërë shopping.

Për këtë, ata kanë krijuar disa tualete VIP, por që sigurisht, për të hyrë aty, duhet të paguash. Tarifa disa kohë më parë ka qenë tepër modeste, por pronarët e qendrës tregtare e kanë çuar atë në 1.22 euro, ose 25 lira turke.

Madje, në këto tualete, edhe mund të bësh abonim mujor, që shkon në 400 lira turke ose 19.49 euro. Për drejtuesit e kësaj qendre, ajo nuk duhet menduar thjesht si një tualet, pasi materialet e përdorura aty, janë të klasit të parë.

“Mos e mendoni këtë vend vetëm si një tualet. Pecetat tona janë gjithashtu të klasit të parë dhe të cilësisë së lartë. Ka zona të veçanta grimi për gratë. Të veçanta janë edhe tualetet, funksionojnë me nxehtësi urinare, nuk ke nevojë të prekësh asgjë. Na preferojnë shumë persona, edhe pse ka tualete falas për vetëm 20 sekonda ecje më tutje”, u shpreh njëri nga menaxherët.

Në këto tualete ka gjithashtu edhe një pikë ku shiten produktet e grave në seksionin e grave të tualetit, i cili ka vetëm një filial në Stamboll dhe funksionon me një koncept shërbimi luksoz.

“Sapunët e përdorur janë produkte të një marke 250-vjeçare, çezmat tona janë të dizajnuara posaçërisht dhe madje kursejnë edhe ujin. Kabinat tona janë të izoluara nga zëri, ka një sistem të veçantë leshi guri në tavanin tonë, në këtë mënyrë zëri nuk dëgjohet kurrë. Të veçanta janë edhe tualetet, bideja punon me nxehtësi dhe nuk keni nevojë të prekni asgjë. Pra, ky vend funksionon me një sistem pa kontakt, kur hyni, hyni në një vend të pastër. Prandaj, një shërbim i tillë ka një kosto.”, vijoi më tej menaxheri.