14:17 / E Mërkurë, 18 Janar 2023 / S Z

Qendrave të Mjekësisë Familjare u mungojnë barnat, pacientët duhet vet t’i blejnë

Qendrat e Mjekësisë Familjare në Prishtinë, vazhdojnë të kenë mungesë të barnave. Pacientët që drejtohen për ndihmë aty, detyrohen që barnat t’i sigurojnë vet. Ndryshe nuk mund ta marrin trajtimin e duhur, për sëmundjet që kanë.

Pacienti SH.A nuk ka mundur ta marrë injeksionin e radhës, pasi në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Breg të Diellit, nuk ka “Dexason”.

Atij i është thënë se nuk mund ta marrë injeksionin, pasi që njëri nga përbërësit e injeksionit “Dexason” nuk u ka mbetur dhe se duhet që vet ta siguroj. E pacientët përveç sëmundjes që kanë, duhet të marrin dhe një obligim shtesë, që t’i sigurojnë barnat, të cilat qendrat e mjekësisë familjare duhet t’i kenë. Pacientit SH.A i është dashur që të shëtisë nëpër barnatoret e kryeqytetit, përkundër gjendjes së rënduar shëndetësore, që t’i sigurojë materialet e nevojshme, për të marrë injeksionin.

” Dje e kam marrë injeksionin në këtë qendër. Por sot nuk ma dhanë. Mjekja më tha se nuk ka “Dexason” dhe për ta marrë duhet ta blesh. Dola ta blej vet. Por nuk kishte as në barnatoren këtu afër. Në barnatore më thanë se u harxhua, pasi që shumë pacientë sot kanë blerë në këtë barnatore, pasi që ka munguar në Qendër të Mjekësisë Familjare. Mezi po eci por po më duhet të shëtis në barnatore për me mujt me gjete “Dexason”, e me u kthy me marrë injeksionin. Kjo çfarë ndodh në shëndetësinë tek ne, nuk është aspak normale. Unë e paguaj injeksionin qysh i kanë çmimet në shtëpi të shëndetit. Por se këta nuk kanë as barna për me ofru shërbim për pacientët”, tha ai./IndeksOnline/