75 Mall Live Search
10:51 / E Mërkurë, 24 Qershor 2026 / A

Qëndrim Kryeziu me akuza ndaj Dritan Goxhajt: Ka qenë i përfshirë në rrëmbimin e një biznesmeni në Kosovë

Kandidati për deputet i PDK-së, Qëndrim Kryeziu, ka reaguar pasi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shpërndau një video të tij me titullin: “Dje ‘Komandant’ me pagesë, po sot shërbëtor me çfarë?”.

Në një deklaratë për Indeksonline, Kryeziu ka hedhur akuza të rënda ndaj Dritan Goxhajt, duke pretenduar se ai pas luftës ka qenë i përfshirë në rrëmbimin e një biznesmeni në Kosovë.

“Dihet se çfarë ka bërë në lokalet e Ramiz Sadikut si bandit, kur ka kidnapuar njerëz. Do të presim edhe publikimin e raporteve të Policisë. Ai ka kidnapuar një biznesmen në vitin 2004”, ka deklaruar Kryeziu.

Duke komentuar shpërndarjen e videos nga Edi Rama, Kryeziu tha se nuk ka çfarë të komentojë, duke shtuar se “i ka bërë një argat shqiptarësisë”.

Ai gjithashtu pretendoi se Goxhaj, ndonëse kishte hyrë në radhët e UÇK-së, nuk kishte marrë pjesë në asnjë ditë luftimesh në front.

“Ka ardhur në ushtri, por nuk ka marrë pjesë asnjë ditë në front. Ai i ka sjellë katër komando nga Shqipëria”, u shpreh Kryeziu.

Më tej, ai paralajmëroi se në të ardhmen do të dalin informacione të tjera lidhur me këtë çështje.

“Një person do të flasë për këtë çështje kur t’i vijë koha, pasi ka kontratë me CIA-n amerikane dhe NATO-n dhe nuk mund të flasë tani. Pas dy vitesh do t’ia nxjerr të palarat zotëri Goxhajt”, deklaroi ai.

Kryeziu i bëri këto komente gjatë një deklarimi nga Hoteli Grand në Prishtinë, duke e quajtur Goxhajn edhe me nofkën “Tani i Prishtinës”.

Shënim: Akuzat e paraqitura nga Qëndrim Kryeziu janë pretendime të tij dhe nuk janë konfirmuar nga institucione kompetente apo nga vetë Dritan Goxhaj.