75 Mall Live Search
20:36 / E Mërkurë, 09 Shtator 2020 / indeksADMonline

Qentë endacak ia sulmuan djalin 12 vjeçar, qytetarja nis procedurat për padi ndaj komunës së Prishtinës

Një qytetarë e Prishtinës ka bërë të ditur se djali i saj 12 vjeçar është sulmuar nga qentë endacak.

Vlora Konushevci përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka përmendur disa raste radhazi të raportimeve kur qentë endacak kanë sulmuar qytetarë të ndryshëm, teksa bëri të ditur se në ora 11:15 sot qentë i sulmuan djalin.

Përmes këtij publikimi ajo ftoi qytetarë të shumtë të ndajnë përvoja të tilla që t’i bëjnë bashkë faktet dhe ta padisin komunën e Prishtinës, transmeton Indeksonline.

Madje ajo pyeti kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti se a “duhet të vdesë ndonjë fëmijë” që të marrin masa për këtë fenomen.

Duhet përkujtuar që qentë endacak janë mjaftë shqetësues në Prishtinë, e sulmet e tyre kanë qenë të vazhdueshme.

Postimi i plotë i saj:

Unë s’kam nevojë për alarm! Gjumin ma nxjerrin hungërimat e llavës së qenve endacak, agresivë dhe të shumtë në numër. “Shihni plagët e 9 vjeçares që u sulmua nga qentë endacak”, “Një punëtorë i “Pastrimit” sulmohet nga qentë endacak”, “Qentë endacak sulmojnë dy qytetarë në shesin “Zahir Pajaziti”, “Sulmohet nga qentë endacakë dhe merr lëndime trupore – Komuna e Prishtinës nuk ia mori parasysh ankesën”, “Qentë endacakë uzurpojnë Prishtinën”. Këto janë veç disa nga rastet e raportuara në media këta dy muajt e fundit. Sot, në orën 11:15, edhe djali im 12 vjeç është sulmuar nga qentë endacak. Njëri prej tyre e ka kafshuar për të cilën gjë është dashur trajtimi mjekësor. Djali ka qenë veç vet duke u kthyer prej ushtrimeve në rrugën C. Fati i tij që ishte mesi i ditës dhe disa punëtorë të ndërtimtarisë i kanë dalë në ndihmë, duke shpëtuar nga lëndimet më të mëdha fizike, teksa për pasojat psikike s’po flasë. Në Qendrën e Mjekësisë Familjare, ku e dërgova për trajtim, mjekja më tregoi që çdo ditë i pranojnë nga 4-5 raste të fëmijëve që sulmohen nga qentë endacakë vetëm në atë lagje (Mati 1).

Kryetar Shpend A. Ahmeti, a duhet me vdekë ndonjë fëmijë që ju me marr masa për këtë fenomen të rrezikshëm? Sa fëmijë apo pleq duhet me u lëndu apo rreziku për jetë që ju me reagu? Në veçanti kur tash do të fillojë procesi mësimor dhe fëmijëve u fillon mësimi në 7:30!

Bashkëqytetarë të dashur, me anë të kësaj letre publike ju ftoj të gjithë ju që keni pas përvoja të tilla të më kontaktoni në mënyrë që t’i bëjmë bashkë faktet, të angazhojmë një avokat bashkërisht dhe ta padisim komunën e Prishtinës!