Qentë endacakë në kryeqytet, qytetarët të shqetësuar për sigurinë e fëmijëve, kërkojnë ndihmë
Qentë endacakë janë bërë problem për qytetarët e Prishtinës, përcjellë Indeksonline.
Ata madje janë duke rrezikuar fëmijët e një nga lagjet e kryeqytetit.
Shqetësimin për këtë ata e kanë shprehur në rrjete sociale, derisa i janë lutur institucioneve relevante për ndërmarrjen e masave.
Një ndër ta është edhe Mustafa Bajrami.
Ai përmes një statusi në Facebook, ka bërë të ditur se me letër i është drejtuar krerëve të institucioneveve për ndihmë.
Fëmijët, thotë Bajrami, janë në rrezik dhe si të tillë nuk po mund të ndihen të sigurt as në oborret e tyre.
Postimi i plotë i Bajramit në Facebook:
Prapë Letër e Hapur Kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinajt dhe Kryetarit të Komunës së Prishtinës Shpend Ahmetit!
Zotërinj, fëmijët i kemi në rrezik jete ndërsa shteti as që do me dëgjue!
Tri herë i jam drejtuar me Letër të Hapur Kryeministrit të Kosovës, Presidentit, Kryeparlamentarit e Kryetarit të Prishtinës. Disa herë privatisht kam folur me njerëz e me këshilltarë të tyre. Asnjëherë dhe kurrë askush s’na ka pyetur për dertin tonë, neve banorëve të Lagjes Qëndresa në Prishtinë. Jeta jonë dhe e fëmijëve tanë është në rrezik. Kësaj radhe nga qentë endacak që na hyjnë edhe nëpër oborre.
Më parë hajnat i bënë rapidoll shtëpitë tona. Të rralla janë shtëpitë e kësaj lagje që nuk janë vjedhur. Shtëpinë time 5 herë dhe ende asnjë vjedhje nuk është zbuluar e asnjë hajn nuk është kapur. Edhe pas ankesave të mia tek gjithkund ku duhej ankuar e në fund disa herë edhe në Inspektoratin e Lartë të Policisë, hajnat nuk u gjetën, kerret nuk na gjetën e asgjë që na vjedhën hajnat nuk na është kthyer.
Tani qentë endacak na janë vërsulur. Nuk po guxojmë t’i lëmë fëmijët tanë të luajnë as nëpër oborre, le ma nëpër rrugë. Janë mbi 50 qenë që po tmerrojnë jetën tonë.
O ju katër zotërinj e sipërpërmendur që me votat tona sot na udhëhiqni!
A dëgjoni zërin tonë?
A keni fëmije?
A do të ishit brengosur për fëmijët tuaj nëse edhe ata sikur fëmijët tanë do të sulmoheshin nga qentë endacak?
Çka do të bënit po të ishit në vendin tonë?
Kujt do t’i ishit drejtuar kështu me katër Letra të Hapura, apo, a do të kishit qenë në gjendje të tregoheni kaq shumë durimtarë sa ne po tregohemi?
Na thuani, çka të bëjmë, ku të shkojmë e tek kush tjetër të ankohemi?
Kryeministër i Kosovës e ti o Kryetar i Komunës së Prishtinës!
Juve dyve posaçërisht po ju drejtohem! Më thuani, kah t’ia mbajmë ne para se mos thashtë Zoti, fëmijët tanë të bëhen ushqim i qenve që janë shtuar në përmasa tmerruese?!
Më thuani, ju lutem, kah t’ia mbajmë…?!