14:38 / E Premte, 24 Shtator 2021 / k.v

Qetë në Bërnjak/ Barrikadat e serbëve ende në mes të rrugës (Video/foto)

Situatë e qetë është edhe sot në pikën e kalimit kufitar në Bërnjak.

Mbi urën e liqenit të Ujmanit vazhdojnë të qëndrojnë pesë kamionë të vendosur nga serbët lokal për të penguar qarkullimin si shenjë revolte ndaj zbatimit të reciprocitetit të targave.

Njësitë elite të Policisë së Kosovës vazhdojnë të bëjnë roje në këtë zonë kufitare ndërsa sot në mëngjes është bërë ndërrimi i pjesëtarëve.

Grupi i serbëve vazhdon të qëndroi në Bërnjak sikurse në Jarinje për të penguar lëvizjen e qytetarëve me automjete.

Ekipi i IndeksOnline që nga e hëna vazhdon të jetë në këto dy pika duke raportuar në kohë reale për të gjitha zhvillimet që po ndodhin.

Aty janë parë edhe pjesëtarë të KFOR-it dhe EULEX-it të cilët po e vëzhgojnë situatën.

Kjo gjendje është që nga mëngjesi i së hënës kur zyrtarisht nisi zbatimi i masës së reciprocitetit në targa nga Qeveria e Republikës së Kosovës./IndeksOnline/