13:03 / E Hënë, 06 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Qeveria deklarohet për liberalizimin e vizave

Janë bërë pothuajse dy muaj që nga momenti kur i pari i AAK-së, Ramush Haradinaj u vendos në krye të ekzekutivit. Ndërkohë, një ndër premtimet e para të tij ishte liberalizimi i vizave brenda tre muajve të parë të qeverisjes.

Por, tashmë në shumë raste është bërë e ditur se për të ndodhur iberalizimi i vizave një ndër kushtet që duhet plotësuar sa më parë nga institucionet e Kosovës është demarkimi i vijës kufitare me Malin e Zi.

Indeksonline ka kontaktuar Zyrën për Informim në Qeverinë e Kosovës lidhur me gjithë këtë proces teksa janë shprehur se procesi i demarkimit është i vështirë, porse zgjidhjes i është hapur rruga.

“Procesi i demarkacionit është ndërlidhur me punën e Komisionit të ri dhe gjetjeve të tij. Analiza do të bëhet pasi të ketë përfunduar raportimi i Komisionit”, është thënë nga Zyra për Informim, shkruan Indeksonline.

Gjithashtu sipas tyre, Haradinaj ka nisur punën pikërisht me këtë çështje.

“Kryeministri Haradinaj e ka nisur punën në Qeveri pikërisht me këtë çështje të pazgjidhur nga të tjerët, për t’i mundësuar qytetarit të Kosovës lëvizjen e lirë, kurse afati kohor që ju përmendni ka të bëjë me punën e institucioneve të vendit në këtë rrafsh dhe vendimin e tyre përfundimtar. Procesi është i vështirë, por zgjidhjes i është hapur rruga”, është shtuar në përgjigjen e Zyrës së Informimit.

Lidhur me këtë çështje Indeksonline ka kontaktuar edhe analistin, Donik Sallova i cili ka theksuar se qeveria nuk do të procedojë më tutje në këtë çështje pa një raport të ri të komisionit për demarkacion.

“Situata është komplekse dhe vetëm fakte shumë të forta mund ta bëjnë kryeministrin të shkojë në Podgoricë dhe të kërkojë ri-shqyrtimin e marrëveshjes nga Mali i Zi. Vonesa e komisionit të ri do të justifikohet vetëm nëse të gjeturat e tij kthjelltësojnë përfundimisht këtë temë, sepse në rrethanat aktuale po e shohim që kryeministri Haradinaj nuk do të tërhiqet nga qëndrimi i tij kundërshtues ndaj versionit aktual të demarkacionit”, ka thënë Sallova.

Gjithashtu Sallova ka shtuar se presioni do shtohet nga dita në ditë, por me gjasë pa një zgjidhje të dyanshme në mes Kosovës dhe Malit të Zi, qoftë edhe rruga drejt arbitrazhit, nuk dot ë mundësojë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Kosova mbetet vendi i vetëm në Ballkan që është izoluar sa i përket lirisë së lëvizjes./Indeksonline/