Qeveria, do të rishikojë të gjitha emërimet dhe shkarkimet në borde, pritet të merren masa

Qeveria e Kurtit, që tashmë ka përmbyllur fazën e qeverisjes, është shquar për shkarkimet e emërimet e shumta që ka bërë nëpër ndërmarrjet publike në vend.
Ndonëse emërimet e bordeve të këtyre ndërmarrjeve publike është thënë se janë të përkohshme, ato vazhdojnë ende të funksionojnë.
IndeksOnline ka pyetur në Zyrën e kryeministrit se çfarë do të ndodhë me këto borde, a do të vazhdojnë të funksionojnë edhe më tej apo jo? E në përgjigjen që kemi marrë, Zyra e kryeministrit ka sqaruar se Qeveria e Kosovës do të shqyrtojë më kujdes vendimet e emërimit dhe shkarkimit të bordeve të përkohshme të ndërmarrjeve publike nga qeveria e kaluar.
Në këtë përgjigje bëhet e ditur se në momentin që konstatohen parregullsi, do të marrin masat e nevojshme.
“Qeveria e Republikës së Kosovës do t’i shqyrtojë me shumë kujdes vendimet e emërimit dhe shkarkimit të bordeve të përkohshme të ndërmarrjeve publike nga qeveria e kaluar. Nëse konstatohen parregullsi, shkelje ligjore apo procedurale, sigurisht që do të ndërmerren hapa përkatës”, thuhet në përgjigjet e qeverisë për IndeksOnline.
Qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti, do të respektojë të gjitha vendimet që dalin nga organet kompetente siç janë gjykatat dhe Inspektorati i Punës e të cilat janë të thirrura për vlerësimin e ankesave që bëhen nga ana e zyrtarëve të shkarkuar, po qe se ato konstatojnë se ka pasur shkelje procedurale dhe ligjore me rastin e shkarkimit të anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike, thuhet ndërkaq në përgjigjen e dhënë nga ZKM-ja.
“Procesi i emërimit të anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike të depolitizohet tërësisht dhe në to të emërohen vetëm profesionistë”, thekson përgjigja e zyrës së Kryeministrit.
Ndryshe Inspektorati i Punës ka vendosur në favor të ankesës së katër prej kryeshefave të ndërmarrjeve publike në vend, e të cilët sipas këtij vendimi duhet të rikthehen në vendet e tyre të punës, para se të shkarkoheshin nga Qeveria e Kurtit.