09:12 / E Hënë, 28 Shtator 2020 / C E

Qeveria dyfishon subvencionet për bujqësinë, për vitin 2020

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka propozuar që nga rendi i ditës të hiqet pika 29, Shqyrtimi i draftit të memorandumit të Bashkëpunimit për përgatitjen e studimit të fizibilitetit për ndërtimin e hidrocentralit të Republikës së Shqipërisë.

Hoti tha se për këtë pikë duhen konsultime shtesë me palën shqiptare. Kjo pikë është hequr nga rendi i ditës.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe propozimvendimin për Planifikimin dhe zbatimin e programit për rimëkëmbje ekonomike – masa 10, mbështetje financiare për projektet dhe iniciativat që synojnë përmirësimin e pozitës së gruas në shoqëri dhe ekonomi.

Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj, gjatë mbledhjes së kabinetit qeveritar ka thënë se buxheti synon përmirësimin e pozitës së gruas në shoqëri dhe ekonomi, në vlerë prej 2 milionë eurosh.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, shtoi se “fillimisht do të alokohen 1 milion euro”.

Qeveria, gjithashtu ka miratuar edhe propozimvendimin për dyfishimin e vlerave të pagesave direkte për subvencione për vitin 2020 me qëllim të zbatimit të programit për rimëkëmbje ekonomike në bujqësi.

“Kemi paraparë dyfishin e subvencioneve vetëm në vitin 2020, për shkak të pandemisë”, tha ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe Projektligjin për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike.