15:14 / E Enjte, 19 Tetor 2023 / mp

Qeveria e Kosovës përgëzohet për fokusim në katër prioritetet kryesore të politikave

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka takuar Koordinatoren Rezidente të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Arnhild Spence.

Përmes një komunikate, bëhet e ditur se Spence ka përgëzuar Qeverinë Kurti, për faktin që Kosova është në mes 23 vendeve nga 130 që kanë regjistruar zotimet e tyre për Objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm në platformën elektronike të OKB-së.

Po ashtu, gjatë takimit është theksuar angazhimi i Qeverisë për të zvogëluar shkallën e varfërisë, për të rritur kapacitetin e energjisë së ripërtëritshme, për transformim digjital, si dhe ndërmarrjen e reformave të rëndësishme në sistemin arsimor.

“Zinj. Spence përgëzoi Kryeministrin Kurti dhe Qeverinë e Kosovës për faktin se janë mes 23 vendeve nga 130 që kanë regjistruar zotimet e tyre për Objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm (SDG) në platformën elektronike të OKB-së. Duke biseduar për zotimet e Kosovës, u theksua angazhimi i Qeverisë për të përshpejtuar përmbushjen e premtimit për zhvillim të qëndrueshëm dhe realizimin e Agjendës 2030. U ritheksuan zotimet transformuese të Qeverisë që do të fokusohen në katër prioritetet kryesore të politikave: për të zvogëluar shkallën e varfërisë, për të rritur kapacitetin e energjisë së ripërtëritshme, për transformim digjital, si dhe ndërmarrjen e reformave të rëndësishme në sistemin arsimor”, thuhet tutje në komunikatë.

Njëherit, thuhet se duke vlerësuar lart bashkëpunimin e deritanishëm të Qeverisë së Kosovës me UNKT, u ritheksua gatishmëria për thellimin dhe zgjerimin e mëtejmë të këtij bashkëpunimi.

“U diskutuan mënyrat konkrete të angazhimit të përbashkët të agjencive të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe Qeverisë”, përfundon komunikata.