13:48 / E Premte, 19 Mars 2021 / OSH

Qeveria e Kosovës mban mbledhjen e radhës, këto janë vendimet e marra

Qeveria e Republikës së Kosovës, ka mbajtur mbledhjen e 71-të me radhë, në të cilën ka miratuar një vendim dhe një konceptdokument nga fusha e përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore, njofton ZKM-ja.

Me propozimin e Ministrisë së Infrastrukturës, Qeveria ka miratuar vendim për t’i dhënë në shfrytëzim Komunës së Prishtinës një sipërfaqe prej 15970.51 metrash katrorë për “Infrakos”-in.

“Me propozimin e Ministrisë së Infrastrukturës, në mbledhjen e sotme, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për t’i dhënë në shfrytëzim Komunës së Prishtinës, sipërfaqen prej 15970.51 metrash katrorë në pronësi të ndërmarrjes publike qendrore infrastrukturore të hekurudhave të Kosovës (“Infrakos”). Kjo pronë do të përdoret për realizimin e projekteve me interes publik. Për këtë është dhënë edhe pëlqimi nga “InfraKos”-it”, thuhet në vendim.

“Qeveria e Kosovës, sot po ashtu ka miratuar konceptdokumentin për kontrollin e ndihmës shtetërore, i cili synon të arrijë ndryshimin e politikave ekzistuese në përafrimin e legjislacionit të ndihmës shtetërore të Kosovës me “Acquis” të ndihmës shtetërore të BE-së në kontekstin e zotimeve për krijimin e një sistemi rregullator të ndihmës shtetërore të krahasueshëm me atë të BE-së sipas kushteve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Konceptdokumenti rekomandon rishikimin e Ligjit për ndihmën shtetërore dhe të legjislacionit sekondar për zbatimin e këtij ligji. Kjo do të përmirësonte bazën për punën e institucioneve të ndihmës shtetërore në Kosovë; avanconte sigurinë ligjore në procesin rregullator të ndihmës shtetërore dhe avancim me angazhimet për integrimin në BE. Këto ndryshime janë thelbësore në mënyrë që të sigurohet që ndihma shtetërore e dhënë nga autoritetet e Kosovës është në përputhje me kërkesat përkatëse dhe efektet negative të ndihmës (kufizimet e konkurrencës dhe ndikimi në tregti) të zvogëlohen”, thuhet në vendim.