Qeveria e Kosovës ndan gjysmë milioni euro për popullin palestinez në Gaza

Qeveria në detyrë e Kosovës ka vendosur të ndajë një shumë prej gjysmë milioni euro nga buxheti shtetëror si ndihmë për popullin palestinez në Rripin e Gazës, për shkak të krizës së thellë humanitare që po përjeton kjo zonë.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë ka deklaruar se situata në Gaza është alarmante dhe se viktimat më të mëdha të këtij konflikti janë civilët, në veçanti fëmijët. Ai shprehu shqetësimin e thellë për humbjet e jetëve të pafajshme dhe për pasojat e rënda që fëmijët po përballojnë, pavarësisht faktit që nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për konfliktin.
“Më lejoni që të shprehim shqetësimin e thellë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për krizën humanitare në Gaza. Sikurse kemi bërë edhe në të kaluarën, ne i dënojmë sulmet që rezultojnë me vdekje dhe lëndim të civilëve, veçanërisht të fëmijëve, të cilët po përballen me pasoja të rënda pavarësisht faktit që nuk kanë asnjë përgjegjësi mbi konfliktin dhe situatën. Qeveria jonë tashmë ka ndarë gjysmë milioni euro nga buxheti i saj si mbështetje për popullin palestinez në Gaza”, ka deklaruar Kurti.
Ai gjithashtu theksoi se Kosova mbështet përpjekjet ndërkombëtare për të arritur një armëpushim të menjëhershëm, që do të mundësonte dërgimin e ndihmave humanitare, lirimin e pengjeve dhe arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme ndërmjet Izraelit dhe Palestinës./Indeksonline/