11:12 / E Enjte, 15 Prill 2021 / OSH

Qeveria e Kurtit me “fshesë”, anulon tenderin 44 milionë euro, pritet të anulohen edhe shumë të tjerë

Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka thënë se gjatë ditës së djeshme kanë marrë dy vendime.

Në një konferencë për media ai ka bërë me dije se kanë anuluar një tender prej 44 milionë euro, për mbarëvajtjen e rrugëve.

“Sot këtë konferencë kemi thirrur që të njoftojmë opinionin për dy vendimet që kemi marrë. E para ka të bëjë me anulimin e tenderit për projektin e mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve rajonale dhe nacionale vlera e cila është 44 milionë euro. Ky projekt është anuluar sepse e para është që ky projekt parashihet të jetë me kontratë tre-vjeçare dhe ne jemi të interesuar të bëjmë ndryshime”.

“Në vitet e fundit kemi zhvillime në zhvillimin e teknologjisë se rrugëve dhe andaj tentojmë që të punojmë përmes kësaj teknologjie. Arsyeja e dytë është që të ketë më shumë konkurrencë dhe gjithëpërfshirje. Kriteret do të jenë të tilla që të ketë më shumë kompani që të marrin punë. Tani kjo praktikë shumë e keqe që është bërë nga ministritë e kaluara do të marrin fund”. Kurse sa i përket vendimit të dytë, ai tha se ka të bëjë testimin e kandidatëve për patentë shofer, duke shtuar se janë duke punuar edhe në platformën online

“Ne tani jemi në fazën e rishikimit të shumë vendimeve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe shumë prej tyre do të anulohen ditëve në vijim. Pra ato që nuk janë në përputhje me ligjin dhe ato që nuk kanë asnjë mbulesë financiare e që janë shumë prej tyre. Ka vendime që janë marrë edhe në ditën e fundit të qeverisë, ditën kur është votuar qeveria, vetëm se në to nuk shkruan ora dhe nuk dihet saktë se a është nënshkruar para apo pas vendimit të qeverisë së re”, ka thënë Durmishi.

I pyetur për sekretarin e kësaj ministrie, zëvendësministri Durmishi, tha që preferon që të fokusohen në këto dy pika të konferencës pa dashur të përgjigjet në këtë pyetje.

“Kisha dashur të fokusohem më shumë në këto dy pika, pasi ende jemi në proces të punës dhe nuk kisha dashur ti jap drejtim tjetër kësaj konference”, deklaroi Durmishi./IndeksOnline/