Qeveria e Luksemburgut, 28 mijë euro donacion për barnatoren qendrore të QKUK-së

Në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovë, është mbajtur ceremonia zyrtare e pranimit të donacionit të dhuruar nga Qeveria e Luksemburgut, përmes projektit KSV/017. Në kuadër të këtij donacioni përfshihen pajisje mjekësore dhe material shpenzues për barnatoren qendrore, në vlerë prej 28 mijë e 745 mijë euro.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, vlerësoi lart bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme të Qeverisë së Luksemburgut, si partner dhe përkrahës i vazhdueshëm i projekteve në shëndetësi.
“ Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, përkatësisht të Ministrisë së Shëndetësisë z. Dietz, ju falënderojmë juve dhe Qeverinë e Luksemburgut për mbështetjen e vazhdueshme në sektorin e shëndetësisë publike, gjë që është ndihmesë e madhe për popullsinë tonë”, tha, ndër të tjera, ministri Vitia.
I ngarkuari me detyrë në Ambasadën e Luksemburgut në Kosovë, z. Eric Dietz, theksoi se ky donacion është vazhdimësi e ndihmës për qytetarët e Kosovës, siç është parë edhe gjatë Pandemisë së Covid-19.
“ Ne kemi ofruar ndihmë jo vetëm për QKUK, por edhe për dy spitale rajonale, atë të Gjilanit dhe Prizrenit, në renovime të reparteve dhe trajnim të stafit” ka thënë Dietz.
Ai u shpreh se po aq i rëndësishëm sa bashkëpunimi ndërshtetëror, është edhe raporti ndërnjerëzor që është krijuar me qytetarët e shtetit të Kosovës.
Ministri Vitia dhe z. Dietz, pas ceremonisë zyrtare i vizituan hapësirat e Barnatores Qendrore në QKUK me ç ‘rast diskutuan edhe mundësitë për investimet që mund të bëhen në të ardhmen.
