Qeveria e Serbisë bën presion në gazetarë, kërkohet ndihma ndërkombëtare
Produksioni serb që po merret me hulumtimin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit “Rikoshet” ka transmetuar një komunikatë, ku akuzon Qeverinë e Serbisë së po e pengon punën hulumtuese.
Sipas autorëve të këtij emisioni, dokumentari që flet për vrasjen e liderit serb Ivanoviq, është planifikuar që të shfaqet në Bruksel në përvjetorin e parë të kësaj vrasjeje.
Sipas burimeve të besueshme, thotë komunikata, që vijnë nga administrata e Brukselit, një shërbim i caktuar i Qeverisë së Serbisë, iu ka drejtuar organizatorëve të Projeksionit “Kush e vravu Oliver Ivanoviqin”, me letër zyrtare, që premiera e filmit në fjalë që do të shfaqet para zyrtarëve të BE-së, të shtyhet ose të ndalohet për shkak të “udhëheqjes së paautorizuar të hetimeve të vrasjes së Oliver Ivanoviqit nga ekipi hetues “Rikoshet”, – thuhet në komunikatën e tyre, transmeton Indeksonline.
Më pas, Produksioni “Rikoshet”, i rikujton zyrtarëve të Serbisë se gazetaria hulumtuese nënkupton lirinë e plotë të hetimit të të gjitha deklarimeve që kanë rëndësi publike, dhe konkretisht në këtë rast edhe të vrasjes së Oliver Ivanoviqit, dhe se censura e qeverisë së Serbisë nuk do të mund të zbatohet jashtë kufinjve të Serbisë.
Gjithashtu, vijon komunikata, Produksioni “Rikoshet”, është i detyruar që t’i njoftojë të gjitha institucionet evropiane dhe botërore që merren me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut se, producenti Sasha Mirkoviqi dhe familja e tij i janë nënshtruar një presioni të paparë nga regjimi i Serbisë.