75 Mall Live Search
12:38 / E Enjte, 26 Gusht 2021 / LB

Qeveria Haradinaj, Kurti 1 dhe Hoti nuk respektuan afatet ligjore për deklarimin e pasurisë

Përfaqësues të Lëvizjes “FOL” kanë mbajtur sot konferencë për medie me ç’rast është publikuar raporti “(Mos) zbatimi i Ligjit për Deklarim të Pasurisë nga Qeveria Haradinaj, Kurti 1 dhe Hoti”.

Mexhide Dumolli drejtoreshë e Lëvizjes “FOL”, ka pohuar se viti 2020 është karakterizuar me ndërrim të qeverive gjë që e cila ka shërbyer si sfidë për deklarimin e pasurisë nga zyrtarët publik.

Ajo ka thënë se sipas të gjeturave Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) ka dështuar. “Të gjithë jemi dëshmitar se viti 2020 është karakterizuar me ndërrim të tri qeverive dhe kjo ka bërë sfidë për deklarimin e pasurisë, jo të gjithë ministrat, kryeministrat kanë respektuar ligjin për deklarimin e pasurisë brenda periudhë së paraparë kohore. Ne kemi hulumtuar, dhe ajo se çfarë mund të themi Agjencia ka dështuar pasi që kemi numër të madh të atyre që nuk e kanë deklaruar se siç ka kërkuar Ligji”, ka thënë Dumolli.

Albana Hasani hulumtuese në “FOL”, ka theksuar se Qeveria Haradinaj, Hoti e Kurti 1 nuk kanë respektuar afatet ligjore për deklarimin e pasurisë.

“Nga 131 ministra e zëvendësministra në qeverinë Haradinaj vetëm 61 prej tyre e kanë deklaruar pasurinë me rastin e emërimit në detyrë. Nga 45 ministra dhe zëvendësministra të qeverisë Kurti 1, vetëm 21 prej tyre e kanë deklaruar pasurinë me rastin e emërimit në detyra zyrtare, ndërsa nga 77 ministra dhe zëvendësministra në qeverinë Hoti vetëm 32 prej tyre e kanë deklaruar pasurinë. Deklarimi i pasurisë përveç rritjes së transparencës ka efekt të madh në forcimin e besimit të publikut te institucionet shtetërore”, ka deklaruar Hasani.