18:59 / E Mërkurë, 29 Mars 2023 / LB

Qeveria “kurseu” në paga e shpenzime kapitale, thotë raporti i GAP-it

Instituti për Studime të Avancuara (GAP) ka publikuar të dhënat për shpenzimet buxhetore të Qeverisë së Kosovës.

Sipas këtyre të dhënave, ekzekutivi “ka kursyer kuletën” në kategorinë e pagave dhe në atë të shpenzimeve kapitale.

Kjo pasi, krahasuar me vitin 2021, në vitin 2022 kishte rënie të shpenzimeve buxhetore në këto dy kategori.

“Rënie në kategorinë e pagave për 14.7 milionë euro apo -2.2% dhe shpenzimeve kapitale për 1.4 milionë euro apo -0.3%”, thuhet në publikimin e GAP-it.

Ndërkaq, sipas këtij instituti, gjatë vitit 2022, krahasuar me vitin 2021, rritje të shpenzimeve buxhetore pati në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve për 31.2 milionë euro apo 10.2%, në subvencione dhe transfere për 222.3 milionë euro apo 26.4% dhe në shpenzime për komunali për 665 mijë euro apo 2.63%.

Sipas grafikës së publikuar nga GAP-i, shpenzime kapitale më pak se këtë vit kishte vetëm në vitin e parë të pandemisë, vitin 2020 (krahasimet janë bërë nga viti 2017 deri më 2022).