Qeveria alokon rreth 58 mijë euro për rezidencën, Ibrahim Rugova

Qeveria e Kosovës ka vazhduar “avazin” e marrjes së vendimeve, megjithëqë numri një i Ekzekutivit, Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqjen në korrik të vitit të kaluar.
Haradinaj bashkë me kabinetin e tij kanë miratuar rregulloren për pagat, shtesat mbi pagë dhe kompensimet e tjera në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Qeveria edhe këtë vit i ka alokuar 57 mijë e 944 euro për pagesën e punonjësve të angazhuar në rezidencën Ibrahim Rugova, për periudhën janar-dhjetor 2020.
Kabineti qeveritar në dorëheqje ia ka vazhduar mandatin e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë për Shoqërinë e Informacionit dhe atij të Shërbimit Gjeologjik të Kosovës me nga tre vjet. E po ashtu kanë emëruar sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Integrimit Evropian, Kushtrim Cukaj.
Është miratuar reforma në Ekonomi për vitin 2020, po ashtu edhe inicimi i procedurave ligjore për themelimin e Zonës Ekonomike Zvicerane. Krahas saj, Qeveria ka miratuar vendimin përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme për zgjerimin e mihjes sipërfaqësore për eksploatim të thëngjillit për prodhim të energjisë elektrike.