13:21 / E Hënë, 01 Mars 2021 / OSH

Qeveria në largim u premton paga shtesë punëtorëve korrektues, ndërpritet protesta

Përfaqësuesit e Sindikatës së Shërbimit Korrektues të Kosovës, kanë marrë premtime nga kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, se do të përfshihen në pagat shtesë që nga ky muaj, e që deri tashti nuk ishin të përfshirë, që ishte arsyeja e protestës së tyre para Qeverisë.

Pas këtij premtimi ata kanë ndërprerë protestën.

Frashër Rracaj nga Shërbimi Korrektues tha se gjatë takimit që patën brenda Qeverisë me kryeministrin në detyrë, Avdullah Hoti, kanë marrë premtime se kërkesat e tyre të realizohen brenda muajit mars dhe me këtë protesta tyre përfundoi.

“Ne sapo përfunduam takimin me kryeministrin në detyrë dhe me ministrin në detyrë të Financave dhe na premtuan se edhe Shërbimi Korrektues të përfshihen në shtesa që nga muaji mars  dhe çshtjet buxhetore të bëhen në mbledhje të Qeverisë. Protestat pezullohen përkohësisht deri në vendimin e Qeverisë që pritet të merret në mbledhjen e parë për muajin mars. Kjo ka qenë kërkesa jonë e vetme drejtuar Qeverisë së Kosovës që edhe ne të përfshihemi në këtë ligj”, tha ai.