75 Mall Live Search
09:40 / E Enjte, 23 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Qeveria nuk ka një afat për demarkacionin

Ka kaluar më shumë se një javë që nga dita kur Komisioni Shtetëror për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror ka raportuar lidhur me të gjeturat e deritanishme.

Por nuk është bërë e ditur se kur do të jetë raportimi i radhës nga ky Komision, shkruan Indeksonline.

Nga Qeveria e Kosovës ndërkohë vazhdojnë të deklarohen se i gjithë procesi i demarkacionit është i ndërlidhur me raportin e Komisionit Shtetëror për Shënimin e vijës Kufitare, dhe se gjetjet do të vlerësohen pasi të jetë dorëzuar raporti.

“Çështja e demarkacionit është e para që është adresuar që prej marrjes së detyrës nga kryeministri Haradinaj dhe pa dashur që të paragjykojmë afate, është njëkohësisht edhe çështje me rëndësi të theksuar në këta muaj të qeverisjes”, ka thënë për Indeksonline këshilltari politik për media i kryeministrit Hardinaj, Halil Matoshi.

Por sipas tij, duke iu referuar komisionit shtetëror, gjetjet e tij do të përcaktojnë mënyrën e veprimit në të ardhmen.

“Nuk duam të ngutemi me vlerësime meqë raporti nuk është dorëzuar ende dhe nuk duam t’i bëjmë presion Komisionit në punën e tij. Kosova ka tërësinë e saj tokësore dhe ajo nuk mund të humbet asnjë pjesë të territorit të saj”, ka shtuar Matoshi.

Ndryshe duhet përkujtuar që në vizitën e parë jashtë vendit kryeministri Ramush Haradinaj ka theksuar se Kosova ka përmbushur  të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave  por që po vazhdon të punohet për demarkacionin. /Indeksonline/