75 Mall Live Search
18:16 / E Mërkurë, 25 Gusht 2021 / LB

Qeveria nuk tregon se kur do të mbahet takimi i radhës Kurti-Vuçiq

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti prej se është zgjedhur kryeministër i vendit ka zhvilluar dy takime në Bruksel me presidentin serb, Alaksander Vuçiq, transmeton “Indeksonline”.

Takimi i radhës është paralajmëruar për muajin shtator.

“Indeksonline”, ka pyetur sot zëdhënësin e Qeverisë, Përparim Kryeziu, përkitazi më këtë çështje, por ai si shumicën e rasteve tjera nuk është përgjigjur.

Në dy takimet e deritashme të ndërmjetësuara nga Brukseli palët nuk janë marrë vesh për asgjë, përveç vazhdimit të bisedimeve.

Pas takimit të dytë, Kurti kishte thënë se në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka propozuar një marrëveshje me gjashtë nene, si deklaratë e paqes midis Kosovës dhe Serbisë, por shtoi se ajo u refuzua “ende pa u lexuar”.

Takimit të radhës që pritet të mbahet në muajin shtator, pritet t’i paraprijë një takim në nivel kryenegociatorësh.

Në anën tjetër, për dy takimet e zhvilluara në Bruksel, përkundër kërkesës së opozitës, shefi i ekzekutivit nuk ka raportuar në Kuvendin e Kosovës.

Kurti kishte thënë se dialogu me Serbinë nuk është ndër prioritet kryesore të qeverisë të cilën ai e drejton. /Indeksonline/