Qeveria premton mbështetje pas dëmeve nga erërat, në Pejë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në kuadër të vizitës në rajonin e Dukagjinit, ku ka inspektuar nga afër dëmet e shkaktuara në këtë javë nga erërat, vizitoi edhe Komunën e Pejës.
Ai u informua se edhe në këtë komunë ka dëme në shtëpi, shkolla e biznese.
Derisa pa nga afër dëmet në shkollën ekonomike “Ali Hadri” në Pejë, Kurti tha se janë në pritje të vlerësimit të dëmeve e pastaj do të shohin se çka mund të bëjnë për përmirësimin e kësaj gjendjeje.
“Do presim që komisioni të bëjë evidentimin, regjistrimin dhe vlerësimin e dëmeve dhe pastaj bashkë me komunën të shohim se si mund t’i përmirësojmë dhe riparojë ato, me ç’rast prioritet do kenë nevojat urgjente për rifillimin e jetës normale, posaçërisht asaj të shkollave, sepse çdo ditë e humbur për arsimtarët është edhe ditë e humbur për shtetin dhe shoqërinë”, tha Kurti.
Kurse, ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Hykmete Bajrami shprehu gatishmërinë që brenda mundësive buxhetore të ndihmohet edhe renovimi i kësaj shkolle në Pejë dhe qytetet e tjera ku janë dëmtuar shkollat nga erërat që kapluan vendin gjatë kësaj jave.
E për shkak të gjendjes së krijuar meqë mësimi nuk po mbahet, Bajrami tha se orët e humbura të mësimit duhet të kompensohen.
“Për të shprehur gatishmërinë tonë që brenda mundësive buxhetore edhe të ministrisë por edhe të buxhetit të Kosovës të ndihmojmë…sapo t’i kemi raportet finale do të ulemi së bashku me ministrinë e Financave dhe sigurisht që në një mbledhje të qeverisë do vendosim që t’i adresojmë këto çështje. Na vjen keq që mësimi gjithashtu nuk po zhvillohet, por shpresojmë që shumë shpejt fëmijët, do kenë mundësi që të kthehen dhe orët dhe ditët e humbura të kompensohen, sepse me të vërtetë është humbje e madhe”, tha ajo.
Erërat e forta dëme të mëdha ka shkaktuar dhe te fermerët pejanë për të cilët ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa ofroi mbështetje që këta fermerë të rimëkëmbën sa më parë.
Ai tha se do shikojnë mundësinë për të ndërtuar një sistem të mirëfilltë të sigurimit të produkteve bujqësore.
“Nuk jemi këtu për të shprehur ngushëllinë tonë por për të parë nga afër dëmet që janë shkaktuar nga fatkeqësitë natyrore dhe së bashku në këto tri komuna por edhe me Ministrinë e Financave do ekplorojmë të gjitha mundësitë që t’u ndihmojmë fermerëve tanë që të rimëkëmbën sa më shpejt”, u shpreh Mustafa.
Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri tha se kjo komunë ka pësuar dëme të shumta nga erërat e forta.
Ai tha se komisionet janë duke e evidentuar dëmet e shkaktuara, por që presin përkrahje nga Qeveria e Kosovës për të rregulluar sa më parë këtë gjendje.
“Në sektorin privat janë dëmtuar shumë biznese, sidomos në anën veriore të Pejës, duke filluar nga shkolla ekonomike e kah fshatrat ajo pjesë është dëmtuar më shumë. Ka edhe dëme të konsiderushme në bujqësi janë komisionet, duke punuar për t’i evidentuar dëmet”, u shpreh numri një i Pejës.
Kurti vizitën e tij të parë si kryeministër i Kosovës i bëri në Klinë, Istog e Pejë dhe fshatrat e shkollat ku janë shkaktuar dëme nga erërat në këtë anë të Kosovës.