75 Mall Live Search
08:52 / E Premte, 12 Shkurt 2021 / OSH

Qeveria reagon ndaj Lul Rakës: Bordi këshillëdhënës jep këshilla sipas kërkesave të ministrit

Derisa shumica e vendeve të botës po fillojnë sërish me shtrëngimin e masave në parandalimin dhe luftimin e virusit korona,  kjo nuk ndodh edhe në Kosovë, shkruan IndeksOnline.

Dje Qeveria e Kosovës ka marrë masa të reja sa i përket parandalimit dhe përhapjes së Covidit-19 duke lehtësuar ato thuajse në çdo segment shoqëror.

Një vendim të tillë e ka kundërshtuar  kryesuesi i Bordit këshillëdhënës, Lul Raka, e i cili ka thënë se asnjë rekomandim nuk është dhënë nga ai dhe asnjë anëtar i bordit që këto masa të lehtësohen.

Ndërsa në një përgjigje për IndeksOnlinen zëdhënësja e Qeverisë Antigona Baxhaku – Idrizi, ka sqaruar se  bordi ka mandat këshillues dhe jep këshilla sipas kërkesave të ministrit, Armend Zemaj.

“Sa i përket Bordit këshillëdhënës për Covidin-19, sipas mandatit që ka, ky bord është trupë këshillëdhënëse, që i përgjigjet ministrit të Shëndetësisë dhe jep këshilla sipas kërkesave të ministrit për çështje të lidhura me COVIDIN-19”, tha Baxhaku-Idrizi.

Ajo, ka thënë se në vend mbesin në fuqi pothuajse masat e njëjta përveç heqjes së orës policore në komunat në “Zonën e kuqe”, e cila tashmë si masë nuk ka ndonjë ndikim pozitiv si edhe kthimi i mësimit me prani fizike në fakultete, duke respektuar Manualin për parandalimin e përhapjes dhe luftimin e COVIDIT-19. 

Ndryshe Raka përmes postimit në Facebook ka thënë se kundërshton këto masa të reja në këtë kohë./