75 Mall Live Search
21:00 / E Mërkurë, 04 Qershor 2025 / S Z

Qeveria rrit shpenzimet, për tre muaj harxhoi 703.2 milionë euro

Shpenzimet e Qeverisë së Kosovës kanë shënuar një rritje të konsiderueshme  gjatë tremujorit të parë të vitit 2025 (TM1), krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) gjithsej shpenzimet në TM1 2025 kanë arritur në 703.2 milionë euro, krahasuar me 601.6 milionë euro në TM1 2024, që përfaqëson një rritje prej rreth 17%.

Kompensimi i punëtorëve përbën kategorinë më të madhe të shpenzimeve me 31% të totalit, pasuar nga kontributet sociale dhe përfitimet me 29%, konsumi i ndërmjetëm me 14%, dhe formimi i kapitalit bruto me 9%.

 Pjesa e mbetur është shpërndarë në kategori të tjera të shpenzimeve publike.

 “Gjithsej shpenzimet e Qeverisë së Përgjithshme në TM1 2025 ishin 703.2 milion Euro, ndërsa shpenzimet në TM1 2024 ishin 601.6 milion Euro. Pjesën më të madhe të shpenzimeve e përbëjnë: Kompensimi i punëtorëve (31,0%); kontributet sociale dhe përfitimet (29,0%); konsumi i ndërmjetëm (14,0%); formimi i kapitalit bruto (9,0%); ndërsa pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në kategori të tjera të shpenzimeve”, thuhet në raportin e ASK-së.

Edhe të hyrat e përgjithshme të Qeverisë së Kosovës, kanë shënuar një rritje të lehtë gjatë tremujorit të parë të vitit 2025 (TM1), krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak. Sipas të dhënave zyrtare, të hyrat në TM1 2025 arritën në 687.9 milionë euro, krahasuar me 679.7 milionë euro në TM1 2024, që paraqet një rritje prej rreth 1.2%.

Pjesën më të madhe të këtyre të hyrave e përbëjnë: Tatimet në produkte – 77.0% Tatimet rrjedhëse në të ardhura – 18.0% Pagesat për prodhimin jashtë tregut (shitjet) – 4.0%. Ndërsa pjesa e mbetur është shpërndarë në kategori të tjera të të hyrave.

“Gjithsej të hyrat e përgjithshme të Qeverisë në TM1 2025 ishin 687.9 milion euro, ndërsa të hyrat e Qeverisë në TM1 2024 ishin 679.7 milion Euro. Pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë: tatimet në produkte (77,0%); tatimet rrjedhëse në të ardhura (18,0%); pagesat për prodhimin jashtë tregut (shitjet) (4,0%), ndërsa pjesa e mbetur është shpërndarë në kategori të tjera të të hyrave”, thuhet në raportin e ASK-së./Indeksonline/Indeksinline/.