Qeveria shkarkon drejtorin e AAC-së, Bujar Ejupi

Qeveria Kurti e ka shkarkuar të mërkurën Bujar Ejupin, nga pozita e drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC).
Propozim-vendimi për përfundimin e parakohshëm të mandatit të Ejupit erdhi nga ministria e Infrastrukturës.
Zv.ministri Hysen Durmishi tha gjatë mbledhjes së qeverisë se shkeljet që janë evidentuar nga ana e Ejupit, paraqesin bazë të mjaftueshme që mandati i tij të përfundohet para kohe.
“Mos-aprovimi i raporteve të AAC-së nga Kuvendi i Kosovës, raportimi për shkelje profesionale të Ejupit nga ana e Bordit Mbikëqyrës të AAC-së, raportimi me shumë gjetje i Autoritetit Mbikëqyrës të Islandës në emër të KFOR-it, raporti me 20 gjetje i ekspertëve austriakë dhe një varg shkelje të ndryshme që janë të paraqitura në memorandumin shpjegues që është përcjell në qeveri, paraqesin bazë të mjaftueshme për përfundimin e mandatit të parakohshëm të Bujar Ejupit nga pozita e drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC)”, tha ai.
Më pas, Qeveria Kurti aprovoi propozim-vendimin e Durmishit për shkarkimin e Ejupit nga AAC-ja.