Qeveria: Të dëbuarit nga SHBA-ja do të përzgjidhen bazuar në sigurinë kombëtare

Pesëdhjetë individë do t’i pranojë e strehojë Kosova sipas vendimit qeveritar të 11 qershorit me qëllim të lehtësimit të kthimit të tyre të sigurt në vendin e prejardhjes.
E, identifikimi dhe përzgjedhja e tyre, sipas qeverisë së Kosovës, do të bëhet në bashkëpunim me autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa dhënia e mbrojtjes së përkohshme do të bëhet në pajtim me legjislacionin përkatës për azilin.
“Rrjedhimisht, përzgjedhja e këtyre personave do të bëhet duke pasur parasysh sigurinë kombëtare dhe rendin publik. Institucionet tona do të vazhdojnë bashkëpunimin me ato të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që kjo mbrojtje e ofruar nga Republika e Kosovës, të realizohet pa pengesa dhe në koordinim të vazhdueshëm”, kanë thënë nga qeveria e Kosovës për RTKlive.
Sipas tyre, Kosova tashmë ka menaxhuar me sukses proceseve të ofrimit të mbrojtjes së përkohshme, duke përmendur rastin me shtetasit afganë e të strehimit të ukrainasve.
“Republika e Kosovës tashmë ka menaxhuar me sukses proceset e ofrimit të mbrojtjes së përkohshme në vitin 2021 me shtetasit afganë sipas bashkëpunimit me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe rasti me strehimin e shtetasve ukrainas, përkatësisht gazetarëve ukrainas në kuadër të programit Gazetarët në Rezidencë (JiR)”, thotë tutje qeveria.
Kanë bërë të ditur se Ministria e Punëve të Brendshme do të merret ndaras me rastet individuale, megjithatë bazuar në ligjet në fuqi kohëzgjatja e mbrojtjes së përkohshme është një (1) vit, me vlerësimin e vazhdueshëm të rrethanave në vendin e origjinës duke përfshirë edhe ndërmarrjen e masave të nevojshme për kthimin vullnetar të personave përkatës.
“Bazuar në legjislacioni tonë në fuqi, personave që janë në mbrojtje të përkohshme, shteti i Kosovës u ofron kushte themelore për jetesë, që përfshin strehim, akomodim, ushqimin, veshmbathjet dhe pakot higjienike, si dhe qasje në kujdes shëndetësor, që përfshin kujdesin emergjent shëndetësor dhe trajtimin e sëmundjeve”, bëhet e ditur tutje nga qeveria për detajet e kushteve që do t’u ofrojë Kosova atyre.
Gjithashtu, kanë bërë të ditur se Ministria e Punëve të Brendshme po bën të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe është në koordinim të vazhdueshëm me autoritetet relevante të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në mënyrë që procesi i pritjes, akomodimit dhe ofrimit të mbrojtjes së përkohshme në përgjithësi, që derivon nga Vendimi i 11 qershorit të realizohet pa pengesa.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten aleat i yni palëkundur dhe Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë partner i besueshëm i tyre. Ne u jemi përherë mirënjohës për ndihmën dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, dhe e vlerësojmë lartë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në mbrojtje e zhvillim, e sidomos në rrugëtimin tonë drejt integrimit Euro-Atlantik”, thuhet tutje në përgjigjen e qeverisë për RTKlive.