17:20 / E Shtunë, 07 Prill 2018 / indeksADMonline

Qeveria tregon çka do të bëhet me ministritë pa “zot shtëpie”

Zhvillimet e kohëve të fundit, kanë lënë katër ministri pa zot të shtëpisë.

Largimi i Listës Serbe ka lënë pa udhëheqës Ministrinë për Komunitete dhe Kthim (Dalibor Jevtiq), Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (Ivan Todosijeviq), atë të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (Nenad Rikallo).

Po ashtu pa ministër ka mbetur edhe Ministria e Punëve të Brendshme, pas dorëheqjes së Flamur Sefajt, shkruan Indeksonline.

Për ministritë pa udhëheqës është deklaruar Qeveria e Kosovës. Në një prononcim për Indeksonline, zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi ka sqaruar situatën.

“Së pari, tërheqja e Listës Serbe nga Qeveria e Kosovës është çështje në proces që nuk ka marrë karakter definitiv. Dhe sa i përket Ministrisë së Punëve të Brendshme është çështje për të cilën partnerët e koalicionit vendosin dhe derisa të vendosin, këtë funksion e kryen zëvendësministri”, ka thënë Gashi.

Sipas saj, kjo çështje do të zgjidhet së shpejti.

“Besojmë që të gjitha këto procese të përmbyllen në afat optimal”, ka shtuar Gashi. /Indeksonline/