Qeveria tregon çka u diskutua në takimin e liderëve të koalicionit qeverisës
Qeveria e Kosovës ka dhënë detaje për takimin e sotëm të liderëve të koalicionit qeverisës, që zgjati më shumë se dy orë.
Në një njoftim për media, Qeveria ka bërë të ditur se në takim u fol për zhvillimet e fundit, institucionet, buxhetin, taksën 100% dhe dialogun, transmeton Indeksonline.
Më poshtë njoftimi i plotë i Qeverisë:
Në takimin e sotëm të liderëve të partive të
koalicionit qeverisës, u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, për
funksionimin e institucioneve, përmbushjen e agjendës qeverisëse dhe
legjislative, me theks të posaçëm aprovimin e Buxhetit 2019, pakon e ligjeve
përcjellëse, platformën e dialogut dhe çështjen e taksës.
Partnerët e koalicionit janë dakorduar që ditëve në vazhdim t’i intensifikojnë
veprimet dhe aktivitetet drejt harmonizimit të vendimmarrjes për sa u takon
temave të sipërpërmendura.
Gjatë takimit është biseduar kryesisht për aspektet kryesore që ndërlidhen me
platformën e dialogut, e cila pritet të miratohet së shpejti në Kuvendin e
Kosovës.
Platforma e Dialogut do të reflektojë pozicionin unik të institucioneve të
vendit për arritjen e një Marrëveshjeje Gjithëpërfshirëse Ligjërisht e
Obligueshme, e cila duhet të rezultojë me njohjen reciproke dhe anëtarësimin e
Kosovës në OKB.
Po ashtu, liderët e koalicionit u zotuan për intensifikimin e hapave dhe
bashkërendimin e vendimeve me partnerët strategjikë të Kosovës, SHBA-të dhe
BE-në.
Është vlerësim i përbashkët se koalicioni është funksional dhe stabil. Do të
vazhdohet me përkushtim në arritjen e qëllimeve në përputhje me objektivat
programore qeverisëse.