Qeveria u bënë thirrje, mjekët të pa interesuar të kthehen në një sistem kaotik shëndetësor

Derisa çdo ditë nga Kosova po largohen profesionistët shëndetësor të pakënaqur me kushtet e tyre, Ministria e Shëndetësisë (MSH), po u bënë thirrje mjekëve specialist nga jashtë, që të kthehen e të punojnë në Kosovë. Kjo thirrje vjen në kohën kur vetëm gjatë këtij viti nga Kosova, janë larguar 187 mjekët. E që është një rritje krahasuar me vitin paraprak, ku nga Kosova ishin larguar 159 mjekë.
“Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës, fton specialistët e fushave të ndryshme mjekësore, që kanë interes për angazhim dhe punë në institucionet shëndetësore publike të Kosovës. Ftesa u drejtohet specialistëve të fushave mjekësore pjesëtarë të mërgatës shqiptare, atyre nga rajoni por dhe profesionistëve të huaj mjekësor. Ju ftojmë të shprehni interesimin tuaj, për të ndihmuar vendin dhe sektorin krah për krah me kolegët, që me mundin e dijen e tyre, sigurojnë shërbimet në të gjitha nivelet”, thuhet në ftesën e MSH-së.
Ftesat e tilla në një kohë kur shëndetësia kosovare, përballet me probleme të shumta dhe përmirësimet nuk duken askund në horizont, po shihen si jo serioze dhe vështirë të realizueshme.
Mjekët kosovarë, të cilët tashmë punojnë nëpër vende të ndryshme evropiane, thonë se nuk mund të kthehen të punojnë në një sistem shëndetësor çfarë ka Kosova, ku është vështirë të kryhet puna si duhet, pasi që mungojnë shumë gjëra. Ata thonë se nuk është arsye vetëm paga, por sistemi shëndetësor në Kosovë, ua pamundëson që ta kryejnë punën e tyre profesionale siç duhet.
Dija Zogaj, pulmologe në Gjermani e cila që dhjetë vjet ushtron profesionin si mjeke atje, thotë se në kohën kur kishte shkuar, kishte menduar që shumë shpejtë do të kthehet dhe se gjërat në shëndetësinë kosovare do të përmirësohet. Por se kjo nuk ndodhi dhe se ajo e ka të pamundur të kthehet dhe ta ushtrojë profesionin e saj në Kosovë, duke marrë parasysh se si funksionon sistemi shëndetësor në vend.

“Me dëshirën me te madhe isha kthy ne Kosovë, për të dhëne kontributin tim. Por Qeveria duhet së pari te përmirësoj kushtet e punës në institucionet shëndetësore. Duhet Klinikat dhe Ambulantat te pajisen me mjete të nevojshme për diagnostifikim dhe trajtim adekuat të pacienteve. Pa pasur nevoje qe pacientët të dërgohen ne laboratore e klinika private, për të kryer ekzaminime te ndryshme, në kuadër të Diagnostifikimit të sëmundjeve të caktuara. Të bëhemi të pasur, në krah të njerëzve të varfër, të cilët kafshatën e bukës e ndajnë për një analize a Ekzaminim. Në këtë gjendje në të cilën është shëndetësia jone , është shumë problem që unë përvojën time nga Gjermania, ta zbatoj në Kosovë”, thotë ajo.
Zogaj nuk përjashton mundësinë që një ditë të kthehet në Kosovë, por vetëm atëherë kur shëndetësia do të ketë një përkushtim maksimal për pacientët dhe kur mjekeve do t’u sigurohet infrastruktura e nevojshme, për ta ushtruar profesionin e tyre në mënyrë dinjitoze.
“Duhet te ndryshohet gjithçka dhe te punohet me seriozitet e përkushtim maksimal ndaj pacientit. Ka shume për tu bërë. E për këtë nuk duhen vetëm aparatura. Por duhet përkushtim ndaj punës dhe pacientit”, thotë ajo.
Edhe Bujana Batusha-Sopi, kardiologe në Zvicër thotë se përkundër dëshirës për tu kthyer dhe kontribuuar në atdhe, një gjë të tillë tani e ka të pamundur, duke pasur parasysh gjendjen në shëndetësi. Ajo thotë se ka ngecje në mjekësinë kosovare, e cila nuk është duke ecur me hapin e duhur dhe me zhvillimet që bëhen në vendet tjera. Me gjithë problemet të cilat ia pamundësojnë ushtrimin e profesionit si duhet, ajo thotë se një ditë do të kthehet në Kosovë dhe ta hap kliniken e saj private, me çmime të arsyeshme, duke pasur parasysh gjendjen sociale në vend.

“Në Kosovë jo vetëm paga, por ngec dhe sa i përket zhvillimit si mjek dhe sa i përket hulumtimeve, terapive të reja. Për këtë në Kosovë nuk ia vlen me u kthy. Nuk ia vlen se ti si mjek përveç pagës, ngec në aspektin profesional nuk zhvillohesh. Aty ku je nuk zhvillohesh më tutje. Sepse sistemi ka zbrazëtira. Unë kam respekt për kolegët në Kosovë, sepse kam shumë kolegë dhe i njoh shumicën. Por mjekësia në Kosovë dhe jashtë nuk krahasohet, është si dita me natë. Të gjithë që kanë dalë jashtë dhe kanë punu e shohin dallimin. Kur del jashtë e punon, e sheh dallimin”, thotë Batusha.
E kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu thotë për “IndeksOnline” se kjo ftesë do të ishte shumë normale dhe logjike, po të ishin të gjitha parakushtet për një gjë të tillë. Por siç thotë ai, kjo duket jo reale dhe jo e zbatueshme, bazuar në shumë parametra, duke filluar prej pagave e deri tek kushtet praktike të punës, në institucionet tona publike.
” Fillojmë prej çështjes së pagës. Me këto paga kush vjen në sektorin publik. Nuk vjen askush. Të lëshohet një vend i punës përkundër krejt patriotizmit që mundet me pas dëshirën, për t’i ndihmuar shtetit. Të lihet puna me pagë prej minimum 5 mijë 6 mijë euro dhe në shumë specialitete dhe deri në 10 mijë euro dhe të vihet për 600 euro, të punohet në Kosovë, duhet të jetë një sakrificë e madhe”, tha ai.
Sejdiu këtë e sheh si të pamundur, duke pasur parasysh kushtet në të cilat ata punojnë si mjek, e të cilëve u mungojnë gjërat elementare për t’i trajtuar pacientët . Ai thotë se përkundër pagave të majme që po u ofrohen mjekëve nga jashtë edhe në spitalet private, ata po refuzojnë të punojnë në një sistem shëndetësor, çfarë e ka Kosova, pasi që nuk duan të dështojnë si profesionist.
” Të vjen i mësuar, që kur të hyn në sallë të operacionit të hyjë në një sallë që nuk ka nevojë me mendu a kem materiale, s’kemi materiale. A kemi barna, çfarë barna mund të përdorim. Në një sistem apo në një institucion publik, ku ti së pari një ditë para operacionit, duhet të kontaktosh sallat, se a kemi këtë a kemi këtë, apo pacientin ta qojmë me ble. Apo nuk e kemi këtë bari, hajde ta japim një alternativë, që normal nuk është me protokoll. Unë besoj që asnjë prej atyre, të cilët dëshirojnë të kenë sukses në trajtim të pacientit, në suksesin e tij si profesionist nuk do të pranonte”, tha ai.
Sejdiu thotë se mjekët kosovar nuk janë xheloz, për ftesën që po u bëhet mjekëve nga jashtë. Por megjithatë pohon se së pari duhet të mendohet për mjekët që janë në Kosovë, tu rregullohen kushtet atyre, e pastaj t’u bëhet thirrja mjekëve nga jashtë.
“Në anën tjetër cili do të jetë impakti, kur t’i që 20 vjet ke sakrifiku, ku shumica prej neve punojmë pastër dhe mundohemi me gjithë shpirt të japim kontribut për ato 600 euro, që i ke dhe të vjen tjetri me stimulimin me 5 mijë 6 mijë euro se ata më më pak nuk vijnë dhe ti punon afër tij. Cila është ndjesia jote. Automatikisht reaksioni, ose i sabotimit ose i largimit. Pse të sakrifikoj unë vazhdueshëm. Prandaj kjo thirrje është e mirë, e dëshirueshme, por sa është e realizueshme jam skeptik”, tha ai./IndeksOnline/