Qindra kamionë mbesin të bllokuar në kufi me Maqedoninë, policia s’i lë të hyjnë (Foto)
Qindra kamionë kanë mbetur të bllokuar në kufirin me Maqedoninë dhe nuk po mund të hyjnë në Kosovë, pasi rruga nacionale N2, Kaçanik- Hani i Elezit është mbyllur sot për qarkullim, për shkak të rregullimit të saj.
Pas këtij vendimi, janë krijuar kolona të mëdha në kufi, duke lënë kështu dhjetëra kamionë në terminal, ndërsa qindra të tjerë kanë mbetur mëtanë kufirit, pasi policia nuk po i lënë të hyjnë, raporton Indeksonline.
Kryetari i Shoqatës së Shpediterave, Xhevdet Ramuka në një prononcim për Indeksonline ka thënë se nga kjo po rrezikohen që të prishen mallrat.
Sipas tij, rruga alternative që është dhënë nga kjo ministri, nuk është e kalueshme për kamionët.
“Mbrëmë ka njoftuar Ministria e Infrastrukturës së do të bllokohet rruga “Hani i Elezit- Kaçanik, sepse kanë marrë një iniciativë për rregullimin e asaj rruge. Kjo është një gjë shumë e mirë dhe nëse kanë nevojë edhe ne do ju ndihmojmë. Mirëpo, nuk kanë bërë asnjë plan, asnjë projekt se ka të shkojnë këto kamionë. Veturat e vogla mund të shkojnë nëpër rrugën që është dhënë si alternativë Glloboçicë – Gorancë – Hani i Elezit, por ato me peshë të rënda, si p.sh këto kamionë është problem të kalojnë këtë rrugë. Kështu po rrezikohen të prishen gjithë ato importe”, ka thënë Ramuka.
Më tej, ai ka thënë se ka thënë se ka telefonuar sot doganën e Kosovës, e po ashtu edhe atë të Maqedonisë, por, sipas tij, ata nuk kanë kurrfarë informacioni për këtë çështje.
Ndryshe, duhet cekur se Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar mbrëmë se do mbyllet kjo rrugë, për shkak të rrezikut që paraqet, pasi ajo është në gjendje shumë të keqe dhe se ka filluar të shembet.
Pra, bëhet fjalë pikërisht për rrugën ku 10 ditë më parë humbën jetën gjatë një aksidenti dy policët kosovar, Armend Trena dhe Malsor Dashi./Indeksonline/