75 Mall Live Search
11:34 / E Diele, 01 Janar 2023 / MSH

Qindra të anëtarësuar në Komitetin e Grave të Verbra, mungon përkrahja e institucioneve

Rreth 300 persona janë të anëtarësuar në Komitetin e Gravë të Verbra të Kosovës, Komitet ky që më së shumti sivjet është përballur me mungesën e përkrahjes.

Nga KGVK-ja thonë për Indeksdonline se rrjeti në fjalë funksionon përmes donacioneve dhe fondeve, si dhe vullnetit të mirë të qytetarëve.

“Sfidat me të cilat KGVK është ballafaquar në këtë vit është (mos)mbështetja institucionale karshi kërkesave që organizata ka hasur. Kërkesat për mbështetje me projekte nuk kanë gjetur mbështetje të plotë ose nuk janë realizuar fare. Poashtu edhe në kërkesa që KGVK ka dërguar nuk na janë kthyer përgjigjet për rekomandimet apo pytjet që kemi pasur” thotë KGVK.

Komiteti deklaron se, nga ana e Presidencës, kanë pasur mbështetje me paga për staf në 50% të kohës, si dhe nga Departamenti i Sportit në Komunën e Prishtinës ka pasur projekt për trajnimin e personave të verbër në sporitn e Goalball-it, i cili është sport i posaçëm për të verbërit.

Megjithatë, shumica e kërkesave të këtij Komiteti, e që në to hyjnë edhe kërkesa që nuk i përkasin natyrës financiare, nuk janë përmbushur.

“Gratë dhe vajzat e verbëra dhe me të pamë të dobësuar janë të diskriminuara dy herë. E para është që është grua/vajzë dhe e dyta në bazë të aftësisë së kufizuar” deklaron KGVK.

Komitëti gjatë këtij viti madje ka asistuar në përpilimin e gjashtë shkresave dhe ankesave të grave dhe vajzave, drejtuar institucioneve të Republikës së Kosovës.

Megjithë sfidat e shumta, të angazhuarit në këtë Komitet kanë bërë punë më shumë sesa thuhet për këtë kategori të shoqërisë.

Aktivitete dhe trajnime të shumta që ndihmojnë në ecjen, kryerjen e detyrave dhe punëve, për të pavarësuar gratë dhe vajzat në ambiente të hapura dhe të mbyllura, kanë karakterizuar vitin 2022.

Përmes iniciativave të shumta, Komiteti ka arritur qe rekomandimet për këtë kategtori t’i dërgojë edhe në Bashkim Evropian, përveç institucioneve të vendit.

Komiteti bën të ditur se është krijuar gjithashtu edhe Strategjia e kësaj OJQ-je për katër vitet e ardhshme.

Mbi të gjitha, për të gjitha gratë dhe vajzat që janë të verbra ose kanë shikim të dobësuar, është mundësuar audio-incizimi i literaturës për Fakultetin e Psikologjisë.

“Të gjitha librat në dispozicion në gjuhen shqipe janë audio-incizuar dhe janë të gatshme për t’u postuar në web-faqën e KGVK-së e cila është e gatshme në janar 2023. Personat e verbër që vijojnë mësimet në Departamentin e Psikologjisë nuk do të kenë më nevojë që të audio-incizojnë (me pajisje të kualitetit të dobët) shpjegimet e profesorëve, por do të fokusohen vetëm në dëgjim gjatë ligjeratave” përfundon KGVK./Indeksonline/