16:58 / E Mërkurë, 12 Qershor 2019 / indeksADMonline

Qindra të arrestuar në protestën për gazetarin rus

Qindra njerëz janë arrestuar në Moskë nga forcat e sigurisë, ata po kërkojnë dënim për policët që arrestuan gazetarin, Ivan Golunov. Në mesin e personave të arrestuar janë disa gazetarë dhe lideri i opozitës, Alexei Navalny.

Gazetari Golunov u lira të martën pasi autoritetet ruse të drejtësisë i hodhën poshtë akuzat ndaj tij. Vendimi i organeve të drejtësisë erdhi pas reagimeve të shumta në Rusi dhe nga komuniteti ndërkombëtar.

Ministri i brendshëm rus, Vladimir Kolokotsev, tha se zyrtarët që kanë marrë pjesë në arrestimin e gazetarit do të suspendohen nga puna gjatë kohës së zhvillimit të hetimeve, shkruan BBC.

Përkrahje për gazetarin e akuzuar për shitje droge më parë kanë shfaqur edhe tri gazetat kryesore ruse, të cilat e kanë publikuar një shkrim të përbashkët, ku kërkohej lirimi i tij.

Autoritetet ruse njoftuan se më shumë se 200 persona janë arrestuar në protestën që u mbajt në Moskë, ndonëse një grup vëzhgues tha se numri i të arrestuarve ka shkuar në 400./Indeksonline/