QKKTGJ: Mos organizoni aksione për dhurim gjaku, ka mjaftueshëm
Qendra Kombëtare e Kosovës për Transfuzionin e Gjakut u ka apeluar qytetarëve të Republikës së Kosovës që të mos organizojnë aksione per dhurim gjaku, shkruan Indeksonline.
Sipas informacioneve nga kontaktet e vazhdueshme midis dy qendrave të transfuzionit, për momentin nuk ka nevoja të shtuara për produkte të gjakut dhe kërkesat për produkte gjaku janë duke u mbuluar në nivel vendi.
Postimi i plotë:
Të nderuar qytetarë,
Qendra Kombëtare e Kosovës për Transfuzionin e Gjakut me dhimbje të thellë mori lajmin për tërmetin që preku Durrësin dhe zonat përrreth.
Menjëherë pas marrjes së lajmit, Qendra Kombëtare e Kosovës për Transfuzionin e Gjakut ka ngritur nivelin e mobilizimit të stafit të saj në rast të paraqitjes së nevojës për t’u dalë në ndihmë bashkombësve tanë me produkte gjaku.
Sipas informacioneve nga kontaktet e vazhdueshme midis dy qendrave të transfuzionit, për momentin nuk ka nevoja të shtuara për produkte të gjakut, dhe kërkesat për produkte gjaku janë duke u mbuluar në nivel vendi.
Pavarësisht kësaj, QKKTGJ-ja do jetë në gatishmëri të plotë në rast se paraqitet nevoja shtesë për produkte gjaku, përmes mobilizimit të dhuruesëve të gjakut.
Marrë parasysh që shumica e produkteve të gjakut kanë jetëgjatësi të kufizuar të përdorimit klinik, deri në një njoftim të radhës, luten qytetarët të mos organizojnë aksione për dhurim gjaku.
Nëse ata do të kenë nevoja shtese, atëherë do të apelojmë për dhurim gjaku.
Ngushëllime më të sinqerta për të gjitha viktimat e kësaj tragjedie natyrore, shërim të shpejtë të të lënduarëve, rimëkëmbje të shpejtë për të gjithë vëllezërit dhe motrat tona!