75 Mall Live Search
12:37 / E Hënë, 15 Qershor 2026 / S Z

QKUK hap konkurs për 30 pozita të kryeinfermierëve dhe kryelaborantëve

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka shpallur konkurs publik për plotësimin e 30 pozitave të kryeinfermierëve dhe kryelaborantëve në klinika, institute dhe shërbime të ndryshme shëndetësore.

Sipas konkursit të publikuar nga Sektori i Personelit i QKUK-së, pozitat e hapura përfshijnë kryeinfermierë/e në klinika të ndryshme specialistike, institute dhe shërbime klinike, si dhe dy pozita për kryelaborantë në Klinikën e Biokimisë Mjekësore dhe Shërbimin Klinik të Mikrobiologjisë, shkruan Gazeta Shneta.

Ndër pozitat e shpallura janë ato në Klinikën Emergjente, Anesteziologji dhe Mjekim Intensiv, Neurokirurgji, Pediatri, Neonatologji, Pulmologji, Onkologji, Kardiologji, Endokrinologji, Gastroenterologji, Nefrologji, si dhe në disa njësi të tjera të rëndësishme të QKUK-së.

Kontratat për kandidatët e përzgjedhur do të jenë me mandat katërvjeçar, me orar të plotë prej 40 orësh në javë.

Në konkurs theksohet se qëllimi kryesor i këtyre pozitave është udhëheqja, koordinimi dhe mbikëqyrja e shërbimeve infermierore në nivel klinikash, shërbimesh dhe institutesh, me synim menaxhimin efikas të burimeve dhe ofrimin e kujdesit shëndetësor cilësor e të sigurt për pacientët.

Kandidatët e interesuar mund të aplikojnë për pozitat e shpallura sipas kushteve dhe procedurave të përcaktuara në konkursin zyrtar të QKUK-së.